Kandidatët për President në Maqedoninë e Veriut nënshkruajnë dokumentin për zgjedhje të drejta dhe demokratike

Kandidatët për president të shtetit sot në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nënshkruan dokumentin ‘Kodeksin’ për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, transmetojnë mediat në Maqedoninë e Veriut.
Kodeksin nuk e nënshkroi vetëm kandidati i GROM-it, Stevço Jakimovski.
Kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar të martën në Shkup dokumentin për zgjedhje të drejta dhe demokratike, që do të mbahen në dy runde zgjedhore: më 24 prill dhe 8 maj të këtij viti.
Në dokumentin që është nënshkruar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), është thënë se “pjesëmarrësit në zgjedhje angazhohen të respektojnë ligjet, rregulloret dhe sundimin e ligjit në procesin zgjedhor, dhe se do të mënjanojnë diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes”.
Kandidatët deklaruan se nuk do përdorin gjuhë të urrejtjes gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa u zotuan për atmosferë pozitive.
Ndërkohë, edhe partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje nesër do të nënshkruajnë Deklaratën për zgjedhje të ndershme, të lira dhe demokratike dhe kundër gjuhës së urrejtjes.
Në fletën e votimit për zgjedhjet presidenciale këto janë radhitjet:
Stevo Pendarovski – kandidat i LSDM-së.
Gordana Siljanovska-Davkova – kandidate e VMRO-DPMNE-së.
Stevço Jakimovski – kandidati i GROM-it.
Bujar Osmani – kandidat i BDI-së.
Biljana Vankovska-Cvetkovska – kandidate e së Majtës.
Arben Taravari – kandidat nga VLEN.
Makism Dimitrievski – kandidat nga ZNAM.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




