Kapet në flagrancë zjarrvënësi në Mirditë, ministri i Brendshëm kërkon ndëshkim shembullor nga drejtësia

Aktualitet | 2 muaj më parë

Efektivët e Policisë së Shtetit kanë arrestuar në flagrancë një person të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme në territorin e Bashkisë Mirditë, pas një operacioni vëzhgimi tri-ditor në terren. Lajmi është bërë me dije nga Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i cili përmes një reagimi publik theksoi se zjarret e qëllimshme nuk janë “fatkeqësi natyrore”, por krime të mirëfillta që kërkojnë reagim të ashpër ligjor.

Arrestimi i piromanit në fshatin Gziq

Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është një banor i fshatit Gziq të Rrëshenit. Ai është kapur teksa i vinte zjarrin 3 vatrave të ndryshme pyjore në zonë, duke djegur një sipërfaqe prej 400 metrash katrorë.

Shërbimet e policisë së Mirditës, të cilat ndodheshin në ndjekje të tij prej tri ditësh, ndërhynë me shpejtësi duke vënë nën kontroll flakët dhe duke parandaluar djegien e mëtejshme të masivit pyjor. Gjithashtu, i arrestuari dyshohet si autor edhe i disa episodeve të tjera zjarrvënieje të regjistruara ditët e fundit në këtë zonë.

Apeli për organet e drejtësisë

Ministri Lamallari i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë Prokurorisë dhe Gjykatave për të kryer një hetim të plotë e pa kompromis, në mënyrë që çështja të shkojë deri në fund dhe autori të marrë ndëshkimin e merituar ligjor.

“Pamjet janë të qarta. Policia ka arrestuar në flagrancë ditën e sotme një autor të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. Tani është radha e drejtësisë,” deklaroi Lamallari.

Kreu i Ministrisë së Brendshme nënvizoi se mosreagimi me forcën e ligjit shërben si nxitje për përsëritjen e këtyre akteve kriminale në të gjithë territorin e vendit.

“Apeli im për Prokurorinë është i drejtpërdrejtë: kjo çështje duhet të shkojë deri në fund. Hetim i plotë, prova të plota dhe përgjegjësi penale për autorin, nëse fajësia provohet ashtu siç dhe vetë autori e ka pranuar në momentin e arrestimit. Asnjë autor i zjarrvënieve të qëllimshme nuk duhet të llogarisë se do t’ia hedhë paq. Jo në Mirditë. Jo në Krujë. Jo në Lurë, Dibër. Jo askund në Shqipëri,” nënvizoi ai.

Ministri përfundoi duke theksuar se Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet e rrepta në terren për të identifikuar e vënë para përgjegjësisë çdo përgjegjës, ndërsa kërkoi nga sistemi i drejtësisë që të garantojë se krimet mjedisore nuk do të mbeten pa ndëshkim.

  • Operacioni “Piromani”

    Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Piromani”, duke arrestuar në flagrancë një 65-vjeçar të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme në rrethinat e Rrëshenit.

    I arrestuari është shtetasi P. M., 65 vjeç, banues në fshatin Gziq të Njësisë Administrative Rrëshen. Kapja e tij erdhi pas një pune gjurmuese tri-ditore në terren, mbështetur në të dhëna të siguruara në rrugë operative nga strukturat e hetimit të krimit.

    Arrestimi në flagrancë dhe vënia nën kontroll e flakëve

    Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, 65-vjeçari u kap pikërisht në momentin kur sapo kishte ndezur tre vatra të reja zjarri në zonën pyjore të fshatit Gziq.

    “Në momentin e kapjes, ky shtetas sapo kishte ndezur tre vatra zjarri në fshatin Gziq dhe, si pasojë, u përfshi nga zjarri një sipërfaqe pyjore. Vatrat e zjarrit u vunë menjëherë nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë,” bën me dije Policia e Shtetit.

    Hetimet për episode të tjera dhe akuzat penale

    Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se 65-vjeçari është autor edhe i disa zjarrvënieve të tjera të regjistruara kohët e fundit brenda territorit të Bashkisë Mirditë.

    Specialistët për Hetimin e Krimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, po vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të të gjitha rasteve ku dyshohet përfshirja e tij.

    Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa mbi të rëndojnë dy akuza të rënda penale: “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme