Karakaçi: Energjia diellore mbulon 10% të prodhimit vendas, Shqipëria synon të bëhet nyje energjetike rajonale

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi gjatë konferencës së Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) se sektori energjetik në vend ka pësuar një transformim të thellë gjatë pesë viteve të fundit, duke vendosur bazat për objektivat strategjikë deri në vitin 2030.
Sipas tij, ky transformim është mbështetur në një partneritet të qëndrueshëm mes institucioneve dhe sektorit privat, ku investitorët vendas dhe të huaj kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin dhe modernizimin e energjetikës shqiptare.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme, sipas ministrit, është rritja e rolit të energjisë së rinovueshme, veçanërisht asaj diellore. Karakaçi deklaroi se projektet fotovoltaike të realizuara përmes ankandeve kanë sjellë investime cilësore dhe kanë rritur standardet e transparencës dhe konkurrueshmërisë në treg. Paralelisht, shtoi ai, sektori privat ka treguar gatishmëri për të investuar edhe përtej skemave mbështetëse.
Aktualisht, rreth 10% e prodhimit vendas të energjisë sigurohet nga burime diellore, duke kontribuar në uljen e varësisë nga kushtet klimatike dhe duke diversifikuar burimet energjetike të vendit.
“Dëshmi e transformimit të thellë që sektori energjetik ka përjetuar këtë 5-vjeçar duke vendosur themele të forta drejt të ardhmes sonë për vizionin e Shqipërisë 2030. Kemi ndërtuar një partneritet real me sektorin energjetik. Kontributi i investitorëve vendas e të huaj, ka qenë vendimtarë në këtë transformim.
Energjia diellore ka marrë një rol shumë të rëndësishëm, projektet fotovoltaike të zhvilluara përmes ankandeve kanë sjellë investime cilësore dhe standarte transparence dhe konkurrueshmërie. Sektori privat ka marrë guxim dhe vizion duke investuar përtej skemave mbështetëse. Sot rreth 10% e prodhimit vendas vjen nga energjia diellore duke ulur ndjeshëm varësinë nga kushtet klimatike.
Ngjarjet e fundit në Europë kujtojnë se siguria energjetike nuk është e lidhur vetëm me prodhimin, por edhe me transmetimin. Ky është dhe fokusi ynë. Shqipëria është e fokusuar në fuqizimin e rrjeteve dhe lidhjeve ndërkombëtare”, deklaroi Karakaçi.
Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e sigurisë energjetike, duke nënvizuar se ajo nuk lidhet vetëm me prodhimin, por edhe me kapacitetet e transmetimit dhe ndërlidhjet ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Shqipëria është fokusuar në forcimin e rrjetit energjetik dhe në zgjerimin e lidhjeve me vendet fqinje dhe tregjet europiane.
Investimet në linjat ekzistuese, projektet e reja të interkonjeksionit dhe planet për integrimin në tregun europian të energjisë, u konsideruan nga Karakaçi si hapa strategjikë për ta kthyer Shqipërinë në një nyje të rëndësishme të transmetimit energjetik në rajon.
Ai përmendi ndër projektet kryesore lidhjen me Maqedoninë e Veriut, zgjerimin e kapaciteteve me Greqinë, si dhe projektin për ndërlidhjen me Italinë, të cilat pritet të rrisin ndjeshëm kapacitetet për shfrytëzimin e burimeve të reja energjetike dhe integrimin në rrjetin europian.
“Investimi në burimet e reja gjeneruese dhe rritja e kapacitetit prodhues është nevoja të shoqërohet me investime në Operatorin e Regjistrimit të Transmetimit. Investimet në linjat ekzistuese, projektet e reja të interkonjeksionit dhe planet për ndërlidhje me tregjet europiane, janë hapa strategjikë për ta kthyer shqipërinë në një nyje kyçe të transmetimit energjetik në rajon.
Këtu kuptoj projektet që kemi dhe janë pothuaj të përfunduara për lidhjen me Maqedoninë e Veriut, projektin për dyfishimin e kapaciteteve me Greqinë, projektoi shumë i rëndësishëm për lidhjen e Shqipërisë me Italinë, janë të gjitha kaapcitete të reja shfryrëse për burime të reja gjeneruese”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




