Kërkojnë të kryejnë provimet në gjuhën shqipe, studentët në Shkup mbajnë protestë
Refuzimi i mbajtjes së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, ka shkaktuar një revolte të madhe tek studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët janë “derdhur” në rrugët e Shkupit.
Qyteti është kthyer në kryeqendrën e protestës së dytë të zhvilluar, me kërkesën për dorëheqjen e ministrit Fillkov dhe kryeministrit Mickoski.
Duke valëvitur flamurin Kuq e Zi në protestës së kësaj të hëne i janë bashkuar me mijëra vetë, shumë prej të cilëve studentë dhe staf akademik, por edhe qytetarë në mbështetje të kauzës për gjuhën shqipe. Me pankarta në duar, protestuesit nisën marshimin në drejtim të ministrisë së drejtësisë, ku kërkohet dorëheqja e ministrit.

Me kushtin dhe thirrjet se ’’Gjuha shqipe’’ nuk negociohet studentët shqiptarë kërkojnë respektim të ligjit për gjuhët në zhvillimin e provimit të jurisprudencës që vijonte të mbahej në gjuhën maqedonase, pavarësisht statusit zyrtar të gjuhës shqipe në vend.
Sipas raportimeve mësohet se protestës i janë bashkuar shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria.
Studentët shqiptarë kërkojnë lirimin e tre të rinjve në radhët e tyre, të cilët, sikundër raportohet janë arrestuar nga policia.
Pas asaj të mbajtur më 6 prill nga studentë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, kjo është e dyta protestë masive që mbahet në Shkup. Pak para nisjes së saj, liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami takuan kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Mickoski, ku sipas njoftimit të qeverisë maqedonase, thuhet se institucionet në Shkup po punojnë për të gjetur një zgjidhje lidhur me kërkesat e studentëve shqiptarë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




