Këshilli Drejtues rimblidhet të premten për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH
Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar pritet të premten të mblidhet edhe një herë për të zgjedhur Drejtorin e ri të Përgjithshëm të RTSH mes tri kandidaturave: Zoje Jakaj (Marashi), Eni Vasili dhe Engjëllush Musai.
Në mbledhjen e së enjtes, anëtarët e Këshillit votuan në mënyrë të fshehtë për 12 kandidatët, të cilët një ditë më parë paraqitën platformat dhe vizionin e tyre për medien publike.
Në përfundim të votimit, kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, Fatjon Hoxhalli, konstatoi se asnjëra prej kandidaturave nuk siguroi shumicën e parashikuar për votimin e parë.
“Duke qenë se në këtë votim nuk arrihet rezultati prej 3/5, siç e parashikon ligji për votimin e parë, pra 7 vota për një kandidat, ky votim rezulton i pasuksesshëm. Na duhet të kalojmë në një votim të dytë brenda 7 ditëve, sipas parashikimit të Statutit të Radio Televizionit Publik Shqiptar,” deklaroi kryetari, z. Hoxhalli.
Takimi i radhës i Këshillit Drejtues të RTSH është njoftuar për të premten në orën 10:00.
12 kandidatët e votuar në mbledhjen e së enjtes:
- Flamur Buçpapaj – 1 votë
- Kliton Rama
- Zoje Jakaj (Marashi) – 2 vota
- Jetmir Shpuza
- Laureta Roshi
- Ermal Hoxha – 1 votë
- Eni Vasili – 5 vota
- Harrila Koçi
- Engjëllush Musai – 2 vota
- Mimoza Haxhiaj
- Elton Metaj
- Enrik Mehmeti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




