Këshilli i Ministrave miraton kriteret dhe procedurat për licencimin e basteve sportive online

Ekonomi | 7 muaj më parë

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e kritereve të vlerësimit, afateve, procedurës së konkurrimit dhe metodologjisë së pikëzimit për dhënien e licensave për kategorinë e basteve sportive online, në përputhje me ligjin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas vendimit, aplikimet do të vlerësohen mbi bazën e pesë kritereve kryesore: oferta ekonomike (30 pikë), përvoja në fushën e lojërave të fatit (30 pikë), plani i biznesit për aktivitetin online (5 pikë), kapacitetet organizative dhe administrative (20 pikë), si dhe kapacitetet për zgjidhjet software-ike dhe certifikimet ndërkombëtare (15 pikë). Pikët totale maksimale për çdo aplikim janë 100.

Procedura konkurruese organizohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) dhe Komisioni i Licensave, duke përfshirë publikimin e thirrjes për konkurrim në faqen zyrtare të AMLF-së, në dy gazeta ndërkombëtare dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike. Aplikimet dorëzohen nga persona juridikë të regjistruar si shoqëri aksionare brenda një afati 45-ditor.

Komisioni i Licensave, pas verifikimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur, do të rendisë aplikantët sipas pikëve të fituara dhe shpall fituesin. Në rast ankese, Ministri i Financave ka kompetencën të krijojë një komision ad hoc për shqyrtimin e tyre.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe ngarkon Ministrinë e Financave, AMLF-në dhe Komisionin e Licensimit për zbatimin e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme