Khamenei akuzon Trump, ”Protestat, komplot amerikan. Trump përgjegjës për viktimat”
Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, u shpreh se presidenti amerikan Donald Trump ishte përgjegjës për viktimat e shkaktuara gjatë valës së protestave që goditën Republikën Islamike.
“Për ne, presidenti amerikan është fajtor për viktimat, dëmet dhe shpifjet e ngritura ndaj nesh. Ky ishte një komplot amerikan. Qëllimi i Amerikës është të gllabërojë Iranin, ta vendosë atë nën dominimin e saj ushtarak, politik dhe ekonomik,” deklaroi Khamenei para mbështetësve të tij, duke u kërkuar autoriteteve që t’u thyenin kurrizin kryengritësve pas protestave kundër sistemit klerik që ka qeverisur vendin që nga revolucioni i vitit 1979.
“Nuk synojmë ta çojmë vendin në luftë, por nuk do t’i kursejmë kriminelët vendas dhe as ata ndërkombëtarë. Në dashtë Zoti, kombi iranian do t’ua thyejë kurrizin kryengritësve, ashtu siç bëri me kryengritjen,” u shpreh udhëheqësi suprem.
Deklarata e Khameneit erdhi pas reagimit të trashëgimtarit të shahut të rrëzuar të Iranit, Reza Pahlavi, i cili jeton në azil në Uashington. Pahlavi u shpreh shpresëplotë për rrëzimin e regjimit iranian dhe u zotua të kthehej në vendlindje për të paraqitur një plan për krijimin e një kushtetute të re.
Në një konferencë për shtyp, Pahlavi, i cili e prezanton veten si udhëheqësin e opozitës iraniane, u kërkoi fuqive botërore të shënjestronin Gardën Revolucionare të Iranit, të ushtronin presion ekonomik, të dëbonin diplomatët iranianë, të kërkonin lirimin e të gjithë të burgosurve politikë dhe të dispononin shërbimin satelitor Starlink dhe rrjete të tjera për të mundësuar komunikimin elektronik në Iran, ku prej më shumë se një jave interneti është ndërprerë.
Më herët, Pahlavi u kishte bërë thirrje iranianëve të përshkallëzonin protestat e tyre. Por protestuesit janë përballur me goditjen fatale të autoriteteve, ndërsa mungesa e internetit ka paralizuar lëvizjen e tyre.
Pahlavi hodhi poshtë pretendimet se kishte biseduar me zyrtarë të lartë amerikanë, por theksoi se besonte se presidenti Trump ishte një burrë fjale dhe do t’i dilte në krah popullit iranian.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




