KLGJ: Po rritet trysnia ndaj gjyqtarëve. Pavarësinë e gjyqësorit, një nga themelet e shtetit të së drejtës

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka pretenduar për një rritje të trysnisë ndaj gjyqtarëve dhe sistemit gjyqësor kohët e fundit. Në një reagim, KLGJ i referohet disa deklaratave dhe opinioneve të bëra nga funksionarë publikë, por jo vetëm, për të cilat thotë se “cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor”.
Këshilli i Lartë Gjyqësor sjell në vëmendje se respekton rolin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut, por kërkon që ajo të shmangë gjuhën fyese dhe imazhet që cenojnë figurën e gjyqtarëve.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor mirëkupton qëndrimet dhe opinionet kritike të shprehura nga funksionarë publikë apo subjekte private, e në veçanti nga media e shkruar dhe ajo audiovizive, të cilat kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor. Por kohët e fundit, me shqetësim konstatohet një “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit, e cila ka një tendencë rritëse, si dhe shfaqja e disa qëndrimeve apo deklaratave me ndikim të dukshëm në informimin e opinionit publik, të cilat, përveçse shkelin të drejtat njerëzore të gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, rrezikojnë seriozisht edhe kryerjen e funksioneve të tyre ligjore.
Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se qëndrime të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Këshilli i Lartë, në respekt të detyrës së tij kushtetuese, është në mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor dhe u bën thirrje që të shmangen deklarata të tilla, të cilat tentojnë të ndikojnë mbi sistemin gjyqësor. Sikundër ndodh në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit. Për rrjedhojë, ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor sjell në vëmendjen e opinionit publik se respekton misionin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut në lidhje me veprimtarinë e sistemit gjyqësor, por nga ana tjetër pret që edhe media të respektojë dinjitetin e gjykatës dhe të gjyqtarit, duke mos përcjellë informacion që përmban gjuhë apo imazhe fyese, të cilat cenojnë figurën e gjyqtarit”, thuhet në reagim.
Në përfundim, KLGJ u bën thirrje të gjitha subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës.
Institucioni nënvizon se e vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, ndërsa çdo ankesë për sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse.
“Këshilli u bën thirrje të gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”, përfundon reagimi i KLGJ.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



