Koçiu dënon dhunën ndaj policisë në protestë: Asnjë kauzë nuk e justifikon

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas përplasjeve të dhunshme gjatë protestës së mbrëmjes së sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një efektiv i Policisë së Shtetit u përfshi nga flakët, ndërsa të tjerë mbetën të lënduar.
Koçiu e cilësoi të papranueshme dhunën ndaj punonjësve të policisë, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret për të justifikuar sulmet ndaj efektivëve që kanë për detyrë garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
“E papranueshme dhe e pajustifikueshme ajo që po ndodh sot në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit duhet dënuar me forcë, pa asnjë ekuivok dhe pa standarde të dyfishta!
Pres nga çdo aktor publik apo politik, nga mediat dhe nga shoqëria në tërësi, një qëndrim të qartë dhe të përgjegjshëm. Është koha për t’u distancuar menjëherë nga dhuna, jo për ta relativizuar atë për llogari politike”, shkruan ajo.
Ajo kërkoi gjithashtu që të gjithë aktorët publikë dhe politikë të distancohen nga dhuna, duke theksuar se ajo nuk duhet të relativizohet për interesa politike.
“Të mbrosh të drejtën e protestës është detyrim demokratik. Të dënosh dhunën është përgjegjësi qytetare, morale dhe shtetërore. Demokracia nuk mbrohet duke goditur ata që kanë detyrën të garantojnë rendin dhe sigurinë e të gjithëve! Asnjë kauzë, asnjë bindje dhe asnjë interes politik nuk mund të justifikojë dhunën. Ndal dhunës ndaj policisë së shtetit”, shkruan ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




