Koçiu me homologun maqedonas në Shkup: Forcojmë bashkëpunimin policor dhe lehtësojmë kalimin kufitar

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu po zhvillon një vizitë zyrtare në Shkup, ku u takua me Ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski. Takimi zhvillohet në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe u pasua nga një deklaratë e përbashkët për shtyp.
Koçiu theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende partnere, të lidhura nga një hapësirë e përbashkët gjeografike, interesa të përbashkëta dhe aspirata të njëjta europiane, si vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ajo nënvizoi se lehtësimi i burokracive dhe procedurave për qytetarët dhe biznesin është një hap i domosdoshëm dhe praktik në funksion të së ardhmes së përbashkët europiane.
Dy homologët diskutuan shndërrimin e pikës ekzistuese të kontaktit në një Qendër të plotë të Bashkëpunimit Policor dhe Doganor, e cila do të funksionojë 24/7 dhe do të mundësojë koordinim në kohë reale mes strukturave përkatëse.
“Një qendër e tillë do të rrisë ndjeshëm sigurinë, duke forcuar kapacitetet kundër migracionit të paligjshëm, kriminalitetit dhe kontrabandës, si dhe do të shkurtojë burokracitë dhe kohën e pritjes në kufi“, tha Koçiu.
Ministrja bëri me dije se vetëm gjatë një viti janë regjistruar rreth 5 milionë kalime dhe rreth 1.8 milionë automjete në kufirin mes dy vendeve, çka e bën edhe më të domosdoshëm përmirësimin e procedurave dhe infrastrukturës kufitare.
Një tjetër temë e rëndësishme e diskutuar ishte replikimi i modelit të suksesshëm “One Stop Shop” për kontrollin e unifikuar kufitar në të gjitha pikat e kalimit, para sezonit veror, si dhe lehtësimi i procedurave gjatë sezonit turistik.
Po ashtu, u diskutua rritja e patrullimeve të përbashkëta në Liqenin e Ohrit dhe zhvillimi i projekteve të tjera të përbashkëta në fushën e sigurisë.
Në përfundim, Ministrja Koçiu vlerësoi gatishmërinë e plotë të palës maqedonase për të forcuar më tej partneritetin dypalësh, duke falënderuar Ministrin Toshkovski dhe duke e ftuar për një vizitë të afërt në Tiranë. Ajo shprehu gjithashtu mirënjohjen për ekipet e OSBE-së, për mbështetjen e vazhdueshme në shndërrimin e ideve në mekanizma konkretë bashkëpunimi dhe në përafrimin me standardet më të mira europiane në fushën e sigurisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




