Koçiu: Pasuritë e konfiskuara në shërbim të arsimimit. Ibrahimaj: Përmirësojmë kushtet në shkollat profesionale

Aktualitet | 9 muaj më parë

Pasuritë e përfituara nga aktivitete kriminale po kthehen në shërbim të komunitetit dhe arsimit profesional. Në Shkollën e Mesme Profesionale në Kamëz, më e madhja në vend, janë pajisur 7 klasa me bazën e nevojshme materiale, duke krijuar kushte më të mira për procesin mësimor.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli dhe drejtues të arsimit profesional vizituan klasat e pajisura me logjistikën e nevojshme për zhvillimin e praktikës profesionale.

Duke u ndalur te burimi i këtyre pajisjeve, Ministrja theksoi rëndësinë e përdorimit të aseteve të sekuestruara në funksion të interesit publik.

“Po bëjmë të mundur që të gjithë pasuritë edhe asetet që janë vendosur në formë kriminale apo për shkak të korrupsionit, pra aktiviteteve të paligjshme, të gjithë këto pasuri tashmë po kthehen në dobi të komunitetit, në dobi të qytetarëve, të atyre që kanë më shumë nevojë dhe në dobi të shoqërisë”, nënvizoi Ministrja.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj pohoi se sot çdo gjë po shkon drejt inovacionit, ndaj duhen krijuar sa më shumë kapacitete në këtë sektor.

“Fokusi ynë është që shkollat profesionale t’i përmirësojmë, jo vetëm në drejtim të cilësisë së mësimdhënies e të shkollimit, por edhe në drejtim të ambienteve e të pajisjeve, të laboratorëve, pasi pa këto të fundit, sado i mirë të jetë edukimi apo cilësia e mësuesve, nuk arrihen dot rezultate. Ne jemi përqendruar në strukturat e mësimdhënies, laboratorët, por edhe konviktet, pasi ka raste që nxënës apo studentë që duan të ndjekin arsimin profesional nuk kanë pranë qendrave të banimit shkolla, por do bëjmë që konviktet të jenë me kushte të mira. IT sot është çelësi i suksesit për çdo të ri e të re. Nuk ka asnjë institucion publik apo privat, që të mos ketë nevojë për këtë sektor”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Ajo nënvizoi se këto rezultate janë fryt i një përpjekjeje të përbashkët institucionale, falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve ligjzbatuese.

Në vijim, Ministrja theksoi se fokusi do të jetë mbështetja e pushtetit vendor dhe shtresave në nevojë, përmes përdorimit social të këtyre aseteve.

“Ne do të mbështesim pushtetin vendor, duke ofruar mundësi, hapësira, edhe për strehim social, edhe për qendra sociale e rezidenciale, për shërbime sociale për shtresa në nevojë e sigurisht edhe për fëmijët e të rinjtë. Prandaj zgjodhëm shkollën profesionale këtu në Kamëz, që është një model për nga mënyra se si funksionon në fakt, për ta mirëpajisur me qëllim që ju të vazhdoni të aftësoheni akoma më shumë”, theksoi Koçiu.

Në përfundim, Ministrja e Punëve të Brendshme përcolli një mesazh të qartë kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.

“Unë doja të jepja një mesazh të fortë për të gjithë ata që zgjedhin të merren me aktivitete kriminale e që mendojnë se nëpërmjet tyre do të pasurohen, tashmë nuk mund ta bëjnë këtë”, apeloi ajo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme