Komisionerja Marta Kos për RTSH: Shqipëria duhet të ruajë ritmin e reformave drejt anëtarësimit në BE

Në një prononcim për RTSH në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po zhvillohet në Budva të Malit të Zi, Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar të procesit të integrimit evropian dhe duhet të vijojë me të njëjtin ritëm në zbatimin e reformave.
Sipas saj këto janë momente përcaktuese për Shqipërinë për të ruajtur ritmin e reformave dhe për të vijuar avancimin në procesin e integrimit evropian.
Kos theksoi se, vendi ka realizuar reforma me një ritëm të lartë dhe pritet që deri në fund të vitit të mbyllen disa kapituj të tjerë të negociatave me Bashkimin Evropian. Ajo bëri të ditur gjithashtu se Shqipëria do të marrë së shpejti një tjetër pagesë në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Komisionerja evropiane nënvizoi se ruajtja e këtij progresi kërkon bashkim dhe dialog mes të gjithë aktorëve të shoqërisë.
“E vetmja rrugë përpara është dialogu, me të gjithë të ulur në tryezë për të adresuar shqetësimet e shoqërisë”, u shpreh Kos.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian dëshiron ta shohë Shqipërinë të vazhdojë përparimin e saj drejt anëtarësimit, duke siguruar që përfitimet e këtij procesi të arrijnë tek e gjithë shoqëria.
Sipas Komisioneres për Zgjerimin, procesi i anëtarësimit në BE ofron garancinë më të mirë për barazinë para ligjit, mbajtjen përgjegjëse të zyrtarëve në pushtet dhe ndëshkimin e korrupsionit.
Deklaratat e Kos vijnë në një moment kur vendet e Ballkanit Perëndimor po intensifikojnë përpjekjet për afrimin me Bashkimin Evropian, me Samitin e Procesit të Berlinit që mbetet një nga platformat kryesore të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së integrimit evropian.
Deklarata e Komisionerit Kos në margjinat e Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, 22 tetor
Këto janë momente vendimtare për Shqipërinë që të ruajë ritmin në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Vendi ka avancuar me reforma me një ritëm të fortë. Ne presim që deri në fund të vitit të mbyllen edhe disa kapituj të tjerë të negociatave. Shqipëria gjithashtu do të marrë së shpejti një pagesë të re në kuadër të Planit të Rritjes.
Ruajtja e këtij progresi kërkon që vendi të bashkohet. E vetmja rrugë përpara është dialogu, me të gjitha palët të ulura në tryezë për të adresuar shqetësimet e shoqërisë.
Ne duam që Shqipëria të vazhdojë të bëjë përparim të fortë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke siguruar që përfitimet e këtij procesi të shtrihen në të gjithë shoqërinë.
Procesi i anëtarësimit ofron garancinë më të mirë për të siguruar që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit, që ata që janë në pushtet të mbajnë përgjegjësi dhe që korrupsioni të mos mbetet pa u ndëshkuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




