Komisioni Europian propozon heqjen e roaming-ut për vendet e Ballkanit Perëndimor

Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e negociatave me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për t’i integruar ato në regjimin e BE-së “Roam like at home”, u deklarua sot nga KE-ja.
Pasi marrëveshjet të finalizohen me secilin prej partnerëve dhe pasi secili prej tyre të jetë në përputhje të plotë me rregullat e roaming-ut të BE-së, njerëzit që udhëtojnë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të jenë në gjendje të bëjnë telefonata, të dërgojnë mesazhe me tekst dhe të përdorin të dhënat mobile pa tarifa shtesë për roaming, thuhet në njoftimin për shtyp.
Kjo do të thotë lidhje pa ndërprerje me tarifa të brendshme jo vetëm për qytetarët dhe bizneset nga Ballkani Perëndimor që vizitojnë BE-në, por edhe për udhëtarët e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Marrëveshja do ta bëjë më të lehtë dhe më të përballueshme për njerëzit dhe kompanitë në të dyja anët të qëndrojnë në kontakt ndërsa janë jashtë vendit për studime, punë ose pushime.
Me propozimin për mandatet negociuese të miratuar sot, Komisioni kërkon autorizimin e Këshillit për të hapur negociatat me partnerët e Ballkanit Perëndimor. Pasi të miratohet nga Këshilli, Komisioni do të negociojë marrëveshje dypalëshe me secilin partner të Ballkanit Perëndimor. Kur të përfundojnë me sukses, këto marrëveshje do t’i hapin rrugën Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e zonës “Roam Like at Home” të BE-së.
m“Tarifat e roaming-ut janë një problem në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Për punëtorët ndërkufitarë dhe familjet që telefonojnë të dashurit jashtë vendit. Faturat surprizë gjatë udhëtimit janë diçka që nuk e pranojmë më në BE. Sot, propozuam të fillojmë bisedimet për ta zgjeruar këtë në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Marta Kos, Komisionere Evropiane për Zgjerimin në X.
/rtsh.a
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




