Kontrolli i syve në moshë të hershme, vendimtar në zbulimin dhe korrigjimin e problemeve në shikim

Shëndet | 1 vit më parë

Kontrolli i syve që në klasë të parë mbetet një hap i rëndësishëm për të identifikuar në kohë problemet e shikimit tek fëmijët.

Në qytetin e Kukësit është vërejtur një interesim i shtuar nga prindërit për të çuar fëmijët e tyre në kontrolle okulistike, veçanërisht me nisjen e vitit të ri shkollor.

“Në përgjithësi janë të ndërgjegjësuar. Sidomos gjatë javës së fundit të gushtit dhe javës së parë të shtatorit ka pasur shumë vizita për sytë. Për këtë më vjen mirë, pasi jo vetëm që është një detyrim, por është edhe dëshirë e prindërve që duan të dinë si është gjendja e fëmijëve, sidomos kur janë në klasë të parë. Normalisht, ata do të ulen në banka të ndryshme dhe nëse nuk shikon mirë fëmija mund të ketë probleme edhe me mësimet. Edhe në spital ka pasur shumë vizita, por tek optika ku i kam vizituar, rreth 30% kanë rezultuar me probleme. Kjo është një gjë e mirë, sepse nuk ka shumë fëmijë me probleme, por gjithsesi ka,” u shpreh Dinore Korbi, optometriste.

Kontrolli ndihmon në zbulimin e hershëm të çrregullimeve që mund të ndikojnë në të mësuar dhe zhvillim, duke mundësuar trajtim të duhur dhe efektiv.

“Tek kontrollet nuk është e rëndësishme vetëm të marrin një dokument, por të shikojnë nëse fëmija ka apo jo ndonjë problem. E kuptoj frikën e prindërve që mendojnë se mos fëmija ka ndonjë problem, por më mirë ta zbulojmë dhe të merremi me të, sepse ka zgjidhje,” apelon ajo.

Sipas specialistëve, vizitat tek okulisti duhet të nisin që në moshën 3-vjeçare, pasi shumë probleme me shikimin mund të diagnostikohen dhe trajtohen më lehtë në këtë fazë të hershme të jetës.

Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme