Korçë – Konflikt në një lokal, i mituri plagos me thikë një 37-vjeçar

Një konflikt i ndodhur në qytetin e Korçës ka degraduar në përdorimin e thikës, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një 37-vjeçar, ndërsa autori i dyshuar, një 17-vjeçar, është shoqëruar në polici.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur brenda një lokali, ku 37-vjeçari dhe i mituri janë konfliktuar me njëri-tjetrin. 37-vjeçari ka marrë një plagë në dorë dhe është transportuar për ndihmë mjekësore në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime bëjnë me dije se i plagosuri ishte kthyer vetëm pak ditë më parë në Shqipëri, pasi jetonte në Greqi, ndërsa dyshohet se ai dhe 17-vjeçari janë konfliktuar edhe më parë me njëri-tjetrin.
Sipas burimeve, fillimisht ka qenë i plagosuri ai që ka goditur 17-vjeçarin, ndërsa ky i fundit ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur në pjesën e krahut. Pas ngjarjes, i mituri është larguar nga vendi i ngjarjes, por është kapur nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë vetëm pak minuta më pas dhe është shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, i plagosuri njihet nga strukturat e policisë si person me precedentë penalë në fushën e vjedhjeve.
“Në lagjen nr. 4, Korçë, gjatë një konflikti dyshohet se shtetasi P. K. ka dëmtuar në dorë me mjet prerës (thikë) shtetasin B. Q., rreth 37 vjeç, banues në Korçë, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin P. K.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për dokumentimin ligjor të rastit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



