Korpusi i ri i Laboratorëve të ISHP-së, vihet në funksion në 2026. I shërben ekspertizës dhe kërkimit shkencor

Korpusi i ri i Laboratorëve Referencë Kombëtare të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), pritet të vihet në funksion në vitin 2026 dhe do të krijojë një nga kapacitetet laboratorike më moderne në rajon.
Kryeministri Edi Rama teksa ka ndarë pamjet nga korpusi i ri, e ka cilësuar këtë si një investim strategjik kombëtar, ndërsa Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, inspektoi nga afër punimet në godinën e re të ISHP-së.
Kompleksi, me një sipërfaqe prej 2,900 metra katrorë dhe 5 kate (1 kat nëntokë dhe 4 kate mbi tokë), do të shërbejë si qendër kombëtare për referencën, ekspertizën dhe kërkimin shkencor në fushën e shëndetit publik.
Ai përfshin teknologji të avancuar dhe dy laboratorë të nivelit të lartë të biosigurisë, duke forcuar diagnostikimin, kërkimin shkencor dhe gatishmërinë e vendit ndaj çdo emergjence shëndetësore.
Ky investim i qeverisë shqiptare ka si qëllim kryesor parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve infektive, duke rritur sigurinë shëndetësore të vendit.
Korpusi i ri do të përfshijë gjithashtu laboratorë të specializuar për sëmundjet infektive emergjente dhe riemergjente, HIV/AIDS, hepatitet, IST-të, biologjinë molekulare, mikrobiologjinë, sigurinë ushqimore dhe monitorimin mjedisor, duke mbështetur programet kombëtare të depistimit dhe forcimin e sigurisë shëndetësore në vend.
Rritja e kapaciteteve laboratorike të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndësishëm në shëndetin publik. Numri i analizave që mund të kryhen në vit mund të kalojë nivelin e 30.000 – 35.000 ekzaminime në periudha normale/të qeta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




