Kos: Muajt e ardhshëm, përcaktues për Kosovën dhe vendet e rajonit

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar në Samitin e Procesit të Berlinit në Mal të Zi se javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për ecurinë e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo ka përcaktuar prioritetet për Malin e Zi, Serbinë, Shqipërinë dhe Kosovën.
Gjatë fjalës së saj në samit, Kos riafirmoi angazhimin e Bashkimit Evropian për integrimin e vendeve të rajonit, duke theksuar se secili prej tyre përballet me prioritete dhe sfida të ndryshme në rrugën drejt anëtarësimit.
“Jemi të vendosur që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Muajt në vijim do të jenë të rëndësishëm për të përcaktuar rrugëtimin e vendeve drejt BE-së”, deklaroi komisionerja evropiane.
Duke folur për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kos renditi çështjet kryesore ku pritet të përqendrohen përpjekjet në periudhën e ardhshme. Sa i përket Shqipërisë, komisionerja nënvizoi vijimin e përparimit drejt Bashkimit Evropian, ndërsa për Kosovën theksoi nevojën për të vazhduar punën në fushën e sundimit të ligjit.
Për Malin e Zi, ajo theksoi rëndësinë e mbylljes së kapitujve të negociatave, ndërsa për Serbinë përmendi zgjedhjet e së dielës së ardhshme.
“Për Malin e Zi, fokusi do të jetë mbyllja e kapitujve të negociatave; për Serbinë, zgjedhjet e së dielës së ardhshme; për Shqipërinë, vijimi i përparimit drejt Bashkimit Europian; ndërsa për Kosovën, vazhdimi i punës për sundimin e ligjit. Samiti i sotëm mbledh liderët e rajonit për të diskutuar të ardhmen e tyre europiane”, u shpreh Marta Kos.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



