Kosova mbështet sulmet kundër Iranit, Ministria e Jashtme: Krah Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka thënë përmes një deklarate publike të shtunën se mbështet sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit. Reagimi vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur sulme në disa qytete të Iranit.
“Qëndrojmë të vendosur kundër regjimit iranian dhe në mbështetje të Presidentit Trump, duke u solidarizuar me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike”, thuhet në reagimin e ministrisë që drejtohet nga Glauk Konjufca.
Ministria u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vendet e Lindjes së Mesme që të kenë vëmendje të shtuar dhe t’i zbatojnë udhëzimet e autoriteteve vendore.
Reagimi i plotë:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran, një regjim që për dekada ka shtypur popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Ne qëndrojmë krah Presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci.
Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje.
Liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë vlera universale që meritojnë mbrojtje të palëkundur.
Qëndrojmë të vendosur kundër regjimit iranian dhe në mbështetje të Presidentit Trump, duke u solidarizuar me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




