Kostot e larta të ndërhyrjes në retinë, Prof. Tonuzi: Nevojat në QSUT të mëdha, operacionet nuk duhen ndërprerë
Realizimi i ndërhyrjes së vitrektomisë pas më shumë se dy dekadash pritje në klinikën e okulistikës në QSUT, e cila konsiderohet e shtrenjtë për nga kostot, mund të pasohet me një kërkesë të lartë të pacientëve që mund të kenë nevojë për të.
Shefi i departamentit të ORL-Okulistikës në QSUT, Prof. Ali Tonuzi thotë për RTSH se këto ndërhyrje rezultojnë me shumë kosto-efektivitet si për pacientin ashtu edhe për shtetin nëse realizohen në spitalin publik.
“Një kirurgji e shkolitjes retinale bëhet me dy ndërhyrje. Ndërhyrja e parë shkon te 2500-3.000- 3500 euro dhe mbushtet synim me vaj silikoni dhe gjashtë muaj më vonë hiqet vaj silikoni po me shpenzime në privat që shkon 1500-2000€. Imagjino këto kosto. Në qoftë se shteti deri më tani ka shpenzuar lekë për të çuar të sëmurë të tillë me shpenzimet e veta në Turqi, normalisht shpenzimet janë shumë të mëdha edhe për sëmurin që ikën, por dhe për shtetin i cili paguan operacionin, por operacioni nuk është i vetëm, do të shkosh me shoqërues sepse është i verbër”, tha ai.
Prof. Tonuzi sjell në vëmendje faktin që shumë të operuar jashtë vendit kanë përfunduar në verbëri për shkak të pamundësisë për të ndjekur hapat e ndërhyrjes.
“Në disa nga këto raste kanë qenë të operuar jashtë edhe për fat të keq të verbër. Po në atë sy që janë operuar sepse në qoftë se ti bën një kirurgji dhe fut vaj silikoni dhe ti nuk e ndjek, vaji i silikonit mund të krijojë një glaukom krizë glaukomatoze që e mbyt nervin dhe gjithë ajo punë shkon në dëm. Nëse ti je këtu dhe e ndjek nuk e lejon sepse heq pak vaj gjatë seancave dhe i sëmuri përfiton”, tha mjeku.
Mjekët thonë se kjo lloj kirurgjie bëhet e domosdoshme veçanërisht kur kemi trauma në sy , të cilat nuk presin që spitali të ketë fonde por ndërhyrje është emergjente.
“Për fat të keq fëmijë të vegjël, të mëdhenj, të rritur që marrin trup të huaj magnetik ose jo magnetik në sy me infeksion ose pa infeksion, ti nuk mund të qepësh plagën edhe t’i thuash sëmurit ik se s’bëj më dot. Kjo zgjidhet përfundimisht këtu sepse hiqet trupi i huaj pa dëmtuar retinën”, tha ai.
Pavarësisht kostove të larta, mjekët e QSUT përpiqen që me një kasetë të segmentit posteriror të bëjmë 3-4 pacientë në ditë duke planifikuar me efektivitet çdo ndërhyrje.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





