Kreu i Gjykatës së Lartë: Pa koherencë në jurisprudencë nuk ka siguri juridike dhe as besim publik
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në fjalën e tij në konferencën “Siguria juridike, qartësia dhe zbatimi koherent i ligjit në Shqipëri”, deklaroi se cilësia e drejtësisë në Shqipëri varet drejtpërdrejt nga qartësia, koherenca e interpretimit dhe zbatimi i njëtrajtshëm i ligjit.
Në fjalën e tij, Sadushi vuri në dukje se drejtësia nuk mund të matet vetëm me shpejtësinë e gjykimit apo uljen e stokut të çështjeve, por mbi të gjitha me cilësinë e arsyetimit dhe parashikueshmërinë e vendimeve. “Shpejtësia pa arsyetim dhe pa koherencë kthehet në rrezik për sigurinë juridike”, u shpreh ai.
Kreu i Gjykatës së Lartë theksoi rolin kyç të jurisprudencës, veçanërisht të kësaj gjykate dhe të Gjykatës Kushtetuese, si shtyllë e stabilitetit në zbatimin e ligjit dhe e besimit të publikut. Sipas tij, mungesa e koherencës në praktikën gjyqësore sjell zgjidhje të ndryshme për raste të ngjashme, duke rritur pasigurinë dhe duke dobësuar besimin e qytetarëve te drejtësia.
Sadushi pranoi se zbatimi i praktikës së njësuar nuk është gjithmonë i njëtrajtshëm në të gjitha nivelet e gjyqësorit, duke evidentuar raste kur jurisprudenca citohet formalisht ose nuk merret fare në konsideratë. “Kjo kërkon njohje, përdorim dhe përgjegjësi profesionale; nuk rregullohet vetvetiu”, tha ai.
Gjatë konferencës u prezantua edhe botimi i integruar i jurisprudencës së Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, i strukturuar sipas dispozitave të kodeve civile dhe penale, me synimin për ta bërë praktikën gjyqësore më të aksesueshme dhe të përdorshme për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe publikun.
Sadushi theksoi se një jurisprudencë e konsoliduar ndikon drejtpërdrejt në uljen e ankimeve të panevojshme dhe në rritjen e efikasitetit të sistemit. “Një vendim i pakuptueshëm është një konflikt i shtyrë për nesër”, u shpreh ai.
Në përfundim, kreu i Gjykatës së Lartë shpalli tre angazhime konkrete: strukturim tematik të standardeve jurisprudenciale me “ratio” të qartë, përmirësim të aksesit funksional në praktikën gjyqësore dhe forcim të komunikimit profesional përmes trajnimeve të vazhdueshme.
“Qytetari nuk ka pse të hamendësojë drejtësinë. Ai ka të drejtë ta parashikojë atë”, përfundoi Sadushi, duke nënvizuar se koherenca në vendimmarrje është kusht themelor për besueshmërinë e sistemit të drejtësisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



