Kryeministër shqiptar në RMV/ Rama: Ajo që ka bërë Ali Ahmeti, leksion historik për të gjithë ne

Kryeministri Edi Rama e konsideron një arritje historike që për herë të parë që Maqedonia e Veriut do të ketë një Kryeministër shqiptar.
Dhe për këtë meritë, shkruan Rama në platformën “X” , i takon Ali Ahmetit, për të cilin thotë se ka bërë shumë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Rama e vlerëson si një leksion historik ndaj të gjithëve dhe brezave të ardhshëm, sjelljen e Ali Ahmetit në politikën maqedonase për të drejtat e shqiptarëve në atë shtet.
“Ali Ahmetit mund t’i bëhen kritika plot brenda vendit, sepse është e drejta dhe detyra e kujtdo që është në opozitë të kërkojë më shumë nga kushdo që është në pushtet. Por çka ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj, e për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një leksion historik për të gjithë ne dhe brezat që vijnë! E duke parë foton bashkëngjitur të një momenti historik në rrugën e bashkësisë shqiptare, m’u kujtua fjala e mençur e një politikani të madh, “Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”; kjo do të ishte diçiturë perfekte për këtë foto”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama
Talat Xhaferi pritet që nesër të votohet si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut sipas një marrëveshje të bërë më herët mes partisë shqiptare BDI të Ali Ahmetit dhe partisë maqedonase LSDM, të cilat janë në koalicion së bashku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




