Kryepiskopi Joan në SHBA, drejton Liturgjinë e së Dielës së Orthodhoksisë dhe merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare në Boston

Aktualitet | 8 muaj më parë

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare në nderim të Kryepiskopit të lumur Anastas, i ftuar nga Kryepiskopi Elpidofor i cili e priti në aeroport së bashku me disa klerikë të tjerë.

Më 1 mars 2026, të Dielën e Orthodhoksisë, Kryepiskopi Joan drejtoi Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Shën Ekaterinës në Braintree, Massachusetts. Në Liturgji morën pjesë 15 Hierarkë nga të gjitha kishat e tjera Autoqefale, si edhe dy Episkopët e dioqezave  shqiptare në Amerikë.

Triumfi i Orthodhoksisë me praninë e Fortlumturisë së tij Kryepiskopit Joan mblodhi së bashku në një Tryezë të shenjtë një numër kaq të madh përfaqësuesish nga Kishat Orthodhokse autoqefale pas shumë vitesh.

Ndërsa më 2 mars, Kryepiskopi Joan do të mbajë fjalën kryesore në Konferencën Ndërkombëtare në nderim të Kryepiskopit të lumur Anastas, e cila do të zhvillohet nga data 2-4 mars në ambientet e Shkollës Theologjike të Patriarkanës Ekumenike “Kryqi i nderuar” në Boston.

Të Dielën tjetër në 8 Mars Kryepiskopi Joan do të drejtojë Liturgjinë Hyjnore në Kishën Historike të Shën Gjergjit në Boston, themeluar nga Imzot Theofan Noli, i shoqëruar nga episkopi i Kryepeshkopatës shqiptare në Amerikë, Hirësi Nikodhimi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme