“Kujdes me këto fruta”/ Pas vdekjes së parë nga virusi Nipah, mjekja Aurora Dollenberg: Prek trurin!

Shëndet | 8 muaj më parë

​Rajoni i Azisë Jugore është vënë në gatishmëri pas konfirmimit të rasteve të reja të virusit Nipah, një patogjen zoonotik me një shkallë vdekshmërie që arrin deri në 75%. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar vdekjen e parë për vitin 2026 në Bangladesh. Viktima, një grua, u infektua pasi konsumoi lëng të papërpunuar të palmës së hurmës, duke nxitur kontrolle të rrepta në aeroportet e Azisë.

​Në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, mjekja nga Gjermania, Aurora Dollenberg, ka zbërthyer rreziqet, mënyrën e transmetimit dhe masat mbrojtëse ndaj këtij virusi.

​​Sipas Dr. Dollenberg, ky është një virus zoonotik, që do të thotë se e ka origjinën te kafshët. ​“Bujtësin e parë të tij virusi ka lakuriqin e natës. Kjo është arsyeja pse këto kafshë fluturake mund të kontaminojnë frutat. Si në rastin e viktimës që kishte konsumuar lëngun e papërpunuar të palmës, por edhe fruta të tjera ekzotike si banania dhe mango mund të bëhen mbartës të virusit për të kaluar te njeriu, i cili duke i konsumuar këto fruta të padezinfektuara apo papërpunuara, e merr këtë virus që për fat të keq shënon një vdekshmëri shumë të lartë. Kjo është arsyeja pse OBSH-ja dha alarmin, por pas një jave monitorim mund të themi që në Evropë nuk kemi asnjë rast pozitiv deri tani”, shpjegon ajo.

Ndonëse burimi, lakuriqi i natës, është i ngjashëm, Dr. Dollenberg qetëson opinionin publik lidhur me mundësinë e një shpërthimi global si ai i vitit 2020. ​“Për fatin tonë të mirë këto dy viruse nuk kanë ngjashmëri as nga mënyra e transmetimit dhe as nga rrezikshmëria që paraqesin për t’u shndërruar në pandemi, sikundër Covid-i. Është i rrezikshëm për individin që e prek, por nuk është rrezik për popullatën”.

​Transmetimi nga njeriu te njeriu kërkon kontakt shumë të ngushtë, si shkëmbimi i sekrecioneve nazale, gojore ose kontakti seksual, ndryshe nga Covid-19 që përhapet përmes ajrit. ​Rreziku më i madh i virusit Nipah qëndron te vonesa e shfaqjes së simptomave specifike. Javën e parë pacienti ka vetëm shenja të një gripi të përgjithshëm, ndërsa javën e dytë virusi kalon në cipat e trurit dhe në nerva. ​“Atëherë fillojnë dëmtimet e para neurologjike, ku pacienti paraqitet me paralizë, me rënie të fuqisë muskulore në gjysmën e trupit”, paralajmëron mjekja.

​Aktualisht nuk ka një terapi specifike apo vaksinë për virusin Nipah. Trajtimi është vetëm simptomatik. ​Përdorimi i paracetamolit ose aspirinës për temperaturë si dhe hidratim i lartë, pasi virusi dehidron trupin shpejt, sidomos te fëmijët dhe të moshuarit.

​Dr. Dollenberg thekson se kujdesi duhet të jetë maksimal me ushqimet që vijnë nga zonat e prekura, si India. “Të evitohen frutat e dëmtuara sepse me anë të urinës ose pështymës së lakuriqit të natës këto fruta mund të jenë infektuar. Larje ose dezinfektim të frutave me alkool ose ujë të përvëluar, dhe më pas larje dhe dezinfektim të duarve”.

​​Për shkak të rrezikshmërisë së lartë individuale, mjekja këshillon kujdes ekstrem lidhur me udhëtimet. ​“Nuk do të rekomandoja një udhëtim në këto zona. Jo për të frikësuar popullatën por për vigjilencë sepse në një botë kaq globale nuk ka më kufij gjeografikë edhe për një virus. Nuk shkakton pandemi por atë që prek, e prek 100 për qind. Nëse qytetarët parashikojnë një udhëtim në Tajlandë apo vende të tjera në Azi, rekomandohet që lëvizje të tilla të anulohen”, përfundon mjekja Aurora Dollenberg.    


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme