Kumbaro takim me ministren franceze për Frankofoninë: Fokus bashkëpunimi dhe ekspertiza për hapjen e Liceut Francez të Korçës

Gjatë vizitës zyrtare në Paris, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zhvilloi takime të zgjeruara me përfaqësues të politikës, jetës akademike dhe sektorit të arsimit, me fokus bashkëpunimin dhe punën për hapjen e Liceut Francez të Korçës, si marrëveshje mes qeverive shqiptare dhe asaj franceze.
Ajo takua me Ministren për Frankofoninë, Partneritetet Ndërkombëtare dhe shtetasit francezë jashtë vendit, Éléonore Caroit, ku diskutuan për ofertën arsimore të liceut, si një institucion që do t’u mundësojë nxënësve të përfitojnë diplomën e maturës franceze me orientim shkencor.
“Ishte pikërisht frankofonia që na bashkoi në një takim të veçantë me Ministren për Frankofoninë, Partneritetet Ndërkombëtare dhe shtetasit francezë jashtë vendit Éléonore Caroit, në një moment të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit në arsim mes dy vendeve tona. Diskutuam gjatë për avancimin e projektit për Liceun Francez të Korçës, një iniciativë që po merr formë dita-ditës, ndërsa me palën franceze po koordinojmë edhe detajet e fundit për ta kthyer në një model ekselence në arsimin parauniversitar. Ky bashkëpunim shkon përtej një projekti të vetëm, duke forcuar lidhjet arsimore, kulturore dhe gjuhësore mes Shqipërisë dhe Francës, dhe duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë tanë në një kontekst gjithnjë e më ndërkombëtar”, tha Kumabro.
Gjithashtu Kumbaro, zhvilloi një takim me Bertrand Buchëalter, këshilltar i Presidentit francez Emmanuel Macron, për shkëmbimi ekspertiza mbi projektet në fushën e arsimit dhe frankofonisë. Gjatë këtij takimi u diskutua për Liceu Francez të Korçës, si dhe bashkëpunimi mes Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit Teknologjik të Compiègne.
“Me Bertrand Buchwalter, Këshilltar i Presidentit Emmanuel Macron, një kënaqësi e veçantë shkëmbimi idesh mbi projektet tona në fushën e arsimit dhe frankofonisë, si Liceu Francez i Korçës dhe bashkëpunimi mes Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit Teknologjik të Compiègne, duke konfirmuar se marrëdhëniet tona po hyjnë në një fazë të re më dinamike. Shumë e rëndësishme mbështetja nga Presidenca franceze për këto iniciativa, ku edhe vetë Liceu Francez i Korçës është një projekt i iniciuar nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Kryeministri Edi Rama, si pjesë e bashkëpunimit të ngushtë mes dy qeverive. Ky është një hap konkret drejt forcimit të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Francës, ku arsimi, gjuha dhe kultura bëhen ura të qëndrueshme bashkëpunimi, duke i dhënë një dimension të ri ndërkombëtar zhvillimit të vendit tonë dhe perspektivës evropiane të të rinjve shqiptarë”, nënvizoi Ministrja Kumbaro.
Më herët në selinë qendrore të UNESCO-s, ministrja Kumbaro u takua me drejtorin e përgjithshëm të organizatës Khaled El-Enany, për të përfituar nga ekspertiza e UNESCO-s në programin “Pas Shkolle”, si dhe në reformën e kërkimit shkencor, në një moment kur Shqipëria po rishikon ligjin për Arsimin e Lartë.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




