Kurti dhe Abdixhiku arrijnë marrëveshje, Bekim Sejdiu propozohet për president i Kosovës
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kanë arritur një marrëveshje që i hap rrugë formimit të institucioneve të reja.
Marrëveshja u arrit gjatë takimit të zhvilluar sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe u pasua nga një deklaratë e përbashkët për mediat.
Në kuadër të marrëveshjes, palët janë dakorduar për Bekim Sejdiun si kandidat konsensual për president të Kosovës. Emri i tij u bë publik nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Ne kemi qenë të vendosur të gjejmë zgjidhje për të ecur përpara dhe të evitojmë zgjedhjet. Bisedimet nuk ishin të lehta, por ishin shteruese. Kemi qenë të përkushtuar për një emër konsensual. Gjatë diskutimeve tona jemi dakorduar për një emër, Bekim Sejdiu”, deklaroi Abdixhiku.
Sipas tij, diskutimet mes palëve kanë nisur që më 9 korrik dhe kanë vijuar për disa javë, me synimin për të gjetur një zgjidhje politike dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.
Marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së pritet të hapë rrugën për zhbllokimin e ngërçit politik dhe formimin e institucioneve të Kosovës.
Kush është Bekim Sejdiu, kandidati konsensual i propozuar për president

Bekim Sejdiu që prej 2015 është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Më parë ai ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Ai i takon brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës.
Gjatë periudhës 2008-2012 ai ka shërbyer si Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, ndërsa gjatë viteve 2012-2014 ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork.
Që nga viti 2002, gjyqtari Sejdiu është profesor (asistent) në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik pranë Universitetit të Prishtinës.
Në të gjitha angazhimet e tij publike, gjyqtari Sejdiu ka qenë ngushtë i lidhur me përpjekjet për promovimin e tolerancës shoqërore, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe të barazisë gjinore, duke qenë kësisoj pjesë e grupit themelues dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Hulumtuesve Profesionalë të Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED (2002-2008).
Në vitet 2000-2002, ka qenë edhe drejtor programi në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile – FKSHC.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




