Kurti takim me kabinetin qeveritar: Dy ditë rresht për shndërrimin e zotimeve në program qeverisës

Kosovë | 7 muaj më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka nisur një takim dyditor të përbashkët të kabinetit qeveritar, me synim shndërrimin e zotimeve të fushatës në program qeverisës konkret.

Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se ky proces është i domosdoshëm për të kthyer besimin e dhënë nga qytetarët në siguri dhe begati.

“Qytetarët na dhanë një besim të paparë në zgjedhjet e dhjetorit 2025. Ne nuk garuam me premtime që harrohen, por me zotime që jetësohen,” ka shkruar Kurti. Ai shtoi se takimi i kabinetit ka për qëllim që zotimet e prezantuara para qytetarëve dhe ekspozenë e paraqitur para deputetëve të kthehen në program qeverisës të detajuar.

Sipas tij, ky program do të përkthehet në plane konkrete me projekte, objektiva të qarta, strategji të zbërthyera në operacione dhe masa të përditshme që do të realizohen gjatë mandatit. Kurti nënvizoi se angazhimi për të mirën e përgjithshme, interesi publik, zhvillimi dhe barazia, si dhe integriteti e dinjiteti shtetëror, do të mbeten shtyllat kryesore të qeverisjes.

Takimi i kabinetit pritet të vazhdojë për dy ditë rresht, duke u fokusuar në harmonizimin e politikave dhe përgatitjen e planeve konkrete për zbatimin e zotimeve të dhëna gjatë fushatës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme