Kush është Talat Xhaferi?- Ushtaraku dhe politikani që kurrë nuk u përkul para sfidave

Maqedonia e Veriut | 3 vite më parë

Talat Xhaferi lindi në 15 prill 1962 fshatin Forinë të komunës së Gostivarit. Në vitin 1981, u regjistrua në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore, drejtimi i këmbësorisë, duke ndjekur studimet në Beograd dhe në Sarajevë.

Nga viti 1996 deri në vitin 1998 ndoqi studimet pas universitare për t’u specializuar në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake Shkup, ndërsa në vitin 2013, fitoi titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit në Shkup.

Karrierën e vazhdoi në disa kazerma ushtarake asaj që në atë kohë quhej Armata Popullore e Jugosllavisë, në Nish, Sarajevë, etj. Pas shpalljes së pavarësisë se Maqedonisë,  u kthye në vendlindje për të shërbyer si oficer i lartë në Armatën e Maqedonisë.

Pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.

Në 28 prill të 2001, kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoninë e Veriut mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri u largua nga  radhët e Armatës së Maqedonisë dhe u bë komandant I Brigadës 116 të UÇK-së.  Në atë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina. 

Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, ka qenë deputet, zëvendësministër i Mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i Mbrojtjes në shkurt të 2013.

Në vitin 2016,  u zgjodh për herë të pestë deputet në Kuvend, ndërsa në vitin 2017 u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriu nga një koalicion i partive shqiptare dhe LSDM-së atëherë në opozitë, çka shkaktoi trazira në parlamentin e vendit.

Xhaferi u bë shqiptari i dytë që u zgjodh në këtë post pas Vullnet Starovës. 

Talat Xhaferi flet gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, kroate dhe angleze. Talat xhaferi u bë sot kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme