Kushtetuesja pranon pjesërisht ankimin e Berishës për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, çështja rikthehet në Gjykatën e Lartë

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht ankimin e Sali Berishës për masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, duke shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë.
Në vendimmarrjen e datës 9 tetor 2026, Kushtetuesja vlerësoi se masa e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndërhyn në lirinë e lëvizjes, të garantuar nga neni 38 i Kushtetutës.
Sipas Gjykatës, Gjykata e Lartë nuk u ka dhënë përgjigje pretendimeve të Berishës lidhur me nevojën dhe përshtatshmërinë e kësaj mase sigurimi.
Për këtë arsye, me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të datës 22 prill 2025, dhe ta dërgojë çështjen për shqyrtim në të njëjtën gjykatë.
Ndërkohë, për pretendimet e tjera të Berishës për cenimin e së drejtës për proces të rregullt ligjor, Kushtetuesja vlerësoi se ato kishin marrë përgjigje nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Sipas saj, arsyetimi i këtyre gjykatave nuk rezultoi arbitrar dhe as i pamjaftueshëm nga pikëpamja kushtetuese.
Gjithashtu, Gjykata vendosi që shpenzimet e përfaqësimit të Berishës, në vlerën 60 mijë lekë, t’i ngarkohen Ministrisë së Financave.
Çfarë ndodh me detyrimin e paraqitjes?
endimi i Kushtetueses nuk e heq automatikisht masën e sigurimit ndaj Berishës. Çështja i kthehet Gjykatës së Lartë, e cila duhet të shqyrtojë pretendimet lidhur me nevojën dhe përshtatshmërinë e masës, duke marrë parasysh arsyetimin kushtetues.
Vendimi i plotë dhe i arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese do të shpallet brenda afateve ligjore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



