Kosovë/ Kuvendi miraton deklaratën e PDK-së për vendimin e Hagës: Shqetësues! Strategji shtetërore për mbrojtjen e UÇK-së

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 99 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim deklaratën e PDK lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët i dënoi me 81 vite burg në total.
Në deklaratë, Kuvendi shpreh “shqetësimin e thellë” lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë, duke ngritur njëkohësisht shqetësime për transparencën dhe respektimin e standardeve të gjykimit të drejtë.
Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin e gjykatës për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët, si dhe përgjegjësinë që, mbi bazën e këtij përfundimi, u është atribuuar të akuzuarve.
Përmes deklaratës, institucionet shtetërore thirren të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe asaj që Kuvendi e cilëson si pastërtinë e luftës çlirimtare. Gjithashtu, kërkohet hartimi i një strategjie të përbashkët shtetërore, e cila do të përfshinte veprime juridike, institucionale dhe diplomatike.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
Kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Kuvendit të Kosovës.
Në dokument rikujtohen rrethanat në të cilat, sipas Kuvendit, lindi lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke iu referuar represionit dhe krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviçit.
Kuvendi thekson gjithashtu rëndësinë e ndërhyrjes së NATO-s në ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës, ndërsa thekson se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dalë jashtë mandatit për të cilin Kuvendi i Kosovës kishte pranuar themelimin e tyre.
“Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë. Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e Kuvendit të Kosovës.
Në përmbyllje, Kuvendi zotohet të mbrojë “pa kompromis” të vërtetën e luftës çlirimtare, si dhe të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë, në përputhje me standardet e kërkuara.
“Kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë. E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis”, thuhet në deklaratën e Kuvendit të Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




