Kuvendi miraton me 74 vota pro të mazhorancës marrëveshjen 302 milionë dollarësh me SHBA-në për modernizimin e ushtrisë
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 74 vota pro të mazhorancës socialiste marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ka për qëllim blerjen e pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s. Fondet e alokuara nga ky financim parashikohet të disbursohen në mënyrë graduale, sipas nevojave operative të Ministrisë së Mbrojtjes.
Shqyrtimi dhe votimi i projektligjit u zhvilluan në një seancë me dyer të mbyllura. Mazhoranca argumentoi se procedura e përshpejtuar dhe me dyer të mbyllura erdhën si pasojë e pranisë së informacioneve të klasifikuara në dokumentacionin shoqërues. Nga ana tjetër, deputetët e Partisë Demokratike bojkotuan seancën parlamentare, duke e konsideruar procedurën e ndjekur si antikushtetuese, ndonëse deklaruan se parimisht mbështesin fuqizimin e ushtrisë përmes kësaj marrëveshjeje.
Balla pas miratimit të huasë 302 milionë dollarësh: Lëvrimet e para nisin në shtator
Pasi Kuvendi ratifikoi marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për modernizimin e Forcave të Armatosura, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se nga ky financim pritet që lëvrimet e para të mjeteve ushtarake të nisin që nga muaji shtator.
Sipas Ballës, përshpejtimi i procedurave parlamentare ishte i domosdoshëm për të mos rrezikuar afatet e përcaktuara nga partnerët amerikanë për faza e parë të lëvrimit të fondit.
Kreu i grupit të mazhorancës theksoi se vonesat procedurale do të sillnin pengesa serioze në realizimin e kësaj mbështetjeje direkte financiare dhe ushtarake nga Uashingtoni.
“Besojmë se që në shtator të nisin lëvrimet e para. Është mbështetja më e madhe që SHBA i jep Shqipërisë. Nëse do ta humbim këtë javë do të hynim në një situatë të vështirë dhe do të na vihej në dyshim përfitimi i pjesës së parë që në ditët e para të shtatorit,” u shpreh Balla për gazetarët.
Në fjalën e tij, Balla sulmoi vendimin e Partisë Demokratike për të bojkotuar seancën me dyer të mbyllura, duke e cilësuar argumentin e opozitës mbi shkeljet procedurale si të pabazë. Ai e krahasoi këtë qëndrim me vendimmarrje të mëparshme të opozitës mbi çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme.
“Arsyeja përse PD bojkotoi, s’ka të bëjë me procedurat. E njëjta parti që bojkotoi miratimin për përfshirjen në Bordin e Paqes, e njëjta parti që bojkotoi edhe votimin e kësaj marrëveshje historike,” deklaroi Balla.
Opozita: E mbështesim investimin, por mungon transparenca
Përfaqësuesit e opozitës ngritën rezerva për sa i përket procedurës së ndjekur në parlament dhe menaxhimit të buxhetit të mbrojtjes nga ana e qeverisë. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, theksoi se opozita nuk e kishte në dispozicion tekstin e plotë të dokumentit për shkak të nxitimit procedural, ndonëse e cilësoi investimin si të nevojshëm.
“Kushtetuta për ju është firma e Edi Ramës, për ne është kontrata që kemi lidhur me qytetarët shqiptarë. Na foli për marrëveshje historike, keni pasur 14 vite kohë për të plotësuar buxhetin e sigurisë, na flet ti ne që s’kuptojmë marrëveshjen? Më pak se 2% është buxheti i mbrojtjes së Shqipërisë në shkelje të angazhimit në NATO ndërkohë që Rama mburret publikisht duke gënjyer. Qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim dëmin që i shkakton besueshmërisë së Shqipërisë. Ne nuk e disponojmë marrëveshjen, s’na është vënë në dispozicion. Marrëveshja është e mirëpritur sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla. Reagimi është i vonuar,” deklaroi Bardhi.
Pavarësisht përplasjeve procedurale dhe bojkotit të opozitës gjatë momentit të votimit, marrëveshja u votua me 74 votat e mazhorancës, duke i hapur rrugën nisjes së zbatimit të programit të modernizimit për Forcat e Armatosura.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



