Kuvendi miraton me 85 vota pro ndryshimet në Kodin Penal, dekriminalizohet shpifja për gazetarët, ndëshkime më të ashpra për parkimin dysh
Pas një seance maratonë, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 85 vota pro ndryshimet në Kodin Penal. Ndër vendimet kryesore, u aprovua dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët dhe ashpërsimi i masave për parkimin dysh. Në Kodin Penal parashikohet gjobë si edhe 1 vit burg për parkim dysh, teksa dekriminalizimi i shpifjes i jep imunitet gazetareve për veprën penale të shpifjes.
Gjatë prezantimit të projektligjit në Kuvend, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, sqaroi se ndryshimet janë pjesë e procesit të integrimit europian.
Ai theksoi se dekriminalizimi i shpifjes përfshin vetëm gazetarët, ndërsa parkimi në rresht të dytë do të ndëshkohet vetëm kur pengon emergjencat, si ambulancat, zjarrfikësit dhe operacionet e Policisë.
Opozita i kritikoi ndryshimet, teksa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se dekriminalizimi i shpifjes ka boshllëqe praktike, pasi nuk ka kriter të qartë se kush mund të përfitojë, ndërsa dënimin e parkimit dysh e cilësoi si të tepruar.
Përveç ndryshimeve në Kodin Penal, Kuvendi i Shqipërisë miratoi edhe disa nisma të tjera ligjore me rëndësi si akti normativ për buxhetin e vitit 2025, ndryshime në ligjin për duhanin, ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet pa leje dhe masa më të rrepta për parandalimin dhe ndëshkimin e zjarrvënieve.
Projektligjet e miratuara:
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente”, u miratua me 85 vota Pro, 0 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin për Pronësinë Intelektuale, Burimet Gjenetike dhe Njohuritë Tradicionale të Lidhura me To, bërë në Gjenevë, më 24 maj 2024”, u miratua me 85 vota Pro, 0 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr. 5/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore “Për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale”, u miratua me 84 vota Pro, 0 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr. 6/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore “Për lehtësimin e tregtisë së shërbimeve të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë””, u miratua me 85 vota Pro, 0 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndalimin e tregtisë së paligjshme në produktet e duhanit”, u miratua me 85 vota Pro, 0 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, (nismë e Këshillit të Ministrave), u miratua me 85 vota Pro, 9 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, u miratua me 85 vota Pro, 10 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, u miratua me 85 vota Pro, 10 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji “Per parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna ne familje”, u miratua me 85 vota Pro, 0 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, u miratua me 83 vota Pro, 10 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”, u miratua me 84 vota Pro, 10 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, u miratua me 83 vota Pro, 10 Kundër, 0 Abstenim.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, u miratua me 82 vota Pro, 1 Kundër, 0 Abstenim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




