Kuvendi nuk i hoqi imunitetin Ballukut, Ambasada Gjermane: Kusht për integrimin, ndjekja penale ndaj korrupsionit. Politika duhet ta garantojë këtë proces

Pas vendimit të Kuvendit për të mos hequr imunitetin e deputetes Belinda Balluku, duke rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e saj, Ambasada Gjermania në Tiranë ka reaguar duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit në nivele të larta.
Sipas ambasadës, përparimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian mbetet i lidhur ngushtë me efektivitetin e drejtësisë ndaj korrupsionit, ndërsa shtoi se politika duhet ta garantojë këtë proces.
“Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit shqiptar rreth heqjes së imunitetit Ambasada Gjermane deklaron: Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve.
Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




