Kuvendi rrëzon kërkesën e SPAK, nuk miraton heqjen e imunitetit të Ballukut

Kuvendi ka votuar sot kundër heqjes së imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke rrëzuar kërkesën e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për arrestimin e saj. Me 47 vota pro dhe 82 kundër, kërkesa për heqjen e imunitetit dhe autorizimi për arrestim nuk u miratua.
Në votim mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili u shfaq në sallë vetëm për të votuar dhe u largua menjëherë më pas.
Vendimi shkaktoi tensione të larta në sallë, ku deputetët e opozitës reaguan me ovacione, përplasën tavolinat dhe nuk lejuan zhvillimin normal të seancës. Ata bllokuan foltoren e Kuvendit, duke mbajtur pankarta kundër vendimit për mosmiratimin e kërkesës së SPAK, gjë që çoi edhe në ndërprerjen e seancës.
Gjatë seancës u lexuan dy raporte rekomandues, nga mazhoranca dhe opozita, lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe lehtësimin e arrestimit të deputetes Balluku. Në raportin e mazhorancës, të prezantuar nga deputeti Ulsi Manja, kërkohej rrëzimi i kërkesës, duke argumentuar se deputetja nuk ushtron më asnjë funksion ekzekutiv dhe se akuzat e SPAK për mundësinë e prishjes së provave apo largimit nga vendi janë vetëm hipotetike.
Manja theksoi se masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe pezullimi nga funksioni garanton hetimin dhe nuk ka nevojë për heqjen e imunitetit.
Nga ana e opozitës, deputeti Oerd Bylykbashi kërkoi që Kuvendi t’i hapë rrugë drejtësisë për të vijuar hetimet. Bylykbashi tha se ruajtja e imunitetit të deputetes Balluku do të përbënte një goditje për integrimin e vendit dhe reformën në drejtësi. Ai theksoi gjithashtu se vendimet e Kuvendit duhet të mbrojnë interesin publik, reputacionin e Parlamentit, të mos pengojnë drejtësinë dhe të respektojnë kompetencat e sistemit gjyqësor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




