Lamtumirë Servet Pëllumbi, homazhe në nder të ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë

Aktualitet | 5 muaj më parë

Kurora me lule dhe me foton në parakalimin e fundit përgjatë sheshit Skënderbej iu dha lamtumira ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbit. 

Ceremonia mortore në nderim të tij u mbajt në hollin e Teatrit të Operas, ku të afërm, miq e bashkëpunëtorë morën pjesë në homazhe në nder të politikanit socialist dhe akademikut, i cili u shua në moshën 89-vjeçare. 

Duke e quajtur “profesor”, gjatë fjalës së mbajtur në homazhe, kryeministri Edi Rama e vlerësoi Servet Pëllumbin si një burrë të mençur dhe babaxhan. 

Edi Rama u shpreh se  “Marrëdhënia ime me të është një marrëdhënie tipike e një antipatie reciproke në distancë dhe pastaj e një simpatie reciproke në afërsi. Për surprizën time kam njohur një njeri shumë progresist, si një burrë të ndershëm, si një burrë të mençur dhe mbi të gjitha si një burrë babaxhan.” 

Për familjarët, largimi i Servet Pëllumbit lë një boshllëk të madh. 

Djali i Servet Pëllumbit, Arbeni, tha se “Babai ynë nuk ishte thjesht një prind. Ai ishte një njeri me vlerë të rrallë, i drejtë, i qetë dhe i respektuar nga të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Lamtumirë profesor. Faleminderit për gjithçka na dhe do të jesh gjithmonë mes nesh. U prefsh në paqe.” 

Drejtues të lartë të politikës në vend, bashkëpunëtorë gjithashtu në mesin e ngushëllimeve, vlerësuan figurën e Pëllumbit jo vetëm si reformues, por edhe si filozofin e të majtës europiane. 

“La në Shqipëri shembullin e politikanit fleksibël, politikanit të urave të dialogut, të zgjidhjeve të vështira. Me vdekjen e tij politika shqiptare është më e varfër, por ai ka lënë një shembull i cili duhet të ndiqet dhe besoj se ka njerëz në Shqipëri që dinë ta vlerësojnë modelin për momentin të papërsëritshëm të politikanit Pëllumbi.” – Preç Zogaj. 

“Mbetet filozofi i së majtës europiane, i cili në dallgët që ka kaluar gjithë politika shqiptare, përfshirë dhe politikën e majtë, ka ditur të jetë një politikan vizionar.” – Shkëlqim Hajdari. 

Ndërsa ish-deputeti Spartak Braho tha se, “Serveti ishte një filozof të cilin sot e përcjellim me hidhërim.” 

“Është një nga burrat më të mirë që unë kam pasur rastin të bashkëpunoj në politikë.” – ish-Presidenti Bamir Topi. 

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, u shpreh se:  “Mund të them që në politikën shqiptare nuk gjendet një i dytë as në të majtën as në të djathtën, që të ketë analizuar sfidat që ka vendi ndërmjet forcave politike dhe të ketë qenë inspirues për atë që duhet bërë më mirë.” 

“Një burrë me kontribute të jashtëzakonshme, sidomos në vitet e vështira kur Fatos Nano, kryetari i Partisë Socialiste, u burgos, ai arriti që ta menaxhonte të majtën. Do të mbetet një nga kryetarët më të mençur, më serioz të Kuvendit të Shqipërisë.” – ish-deputeti Musa Ulqini. 

“Faleminderit pafund që mua edhe të tjerët si unë na priti, na mësoi, na edukoi, na rriti dhe na bindi që jo vetëm të qëndrojmë këtu, por edhe mos dorëzohemi asnjëherë.” – tha deputeti Erion Braçe. 

Ndërsa Fatmir Mediu theksoi se:  “Nuk mbaj mend ndonjëherë ndonjë kryetar i cili përcillte asgjë tjetër përveçse dëshirës për të bërë atë që ishte më e mirë për vendin e tij.” 

Ndërsa deputetja Elisa Spiropali theksoi se , “Serveti ishte një politikan që i doli për zot Partisë Socialiste në një kohë shumë të vështirë.” 

Cilësuar si një model në zbutjen e krizave gjatë zhvillimeve politike në vend, viti 1990 e pozicionoi Servet Pëllumbin në postin e nënkryetarit të PS, ndërsa nga viti 2002-2003 drejtoi Kuvendin e Shqipërisë. Kontributet e tij nuk u ndalën, por i vijoi edhe më tej përmes analizave dhe kritikave politike deri sa mbylli sytë përjetë. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme