Legjionarët/ Daku dhe Seferi me dopieta, shënojnë edhe sulmuesit e tjerë kuqezi

Legjionarët shqiptarë kanë spikatur sërish me skuadrat e tyre, duke regjistruar gola dhe asiste në kampionatet ku aktivizohen.
Mirlind Daku zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në kampionatin rus, duke realizuar dy gola në fitoren 4-0 të Spartakut të Moskës ndaj Rubin Kazanit, ish-skuadrës së tij.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u aktivizua në minutën e 64-t dhe vetëm një minutë më vonë dërgoi topin në rrjetë për golin e tretë të skuadrës së tij. Në minutën e 90-të, Daku vulosi rezultatin përfundimtar me golin e dytë personal. Daku kishte realizuar gjithashtu dy gola të enjten, në ndeshjen e Kupës ndaj Rodina Moskës.
Protagonist me dy gola ishte edhe Taulant Seferi, i cili kontribuoi drejtpërdrejt në fitoren 4-0 të Kayserisporit në transfertë ndaj Antalyasporit. Sulmuesi shqiptar shënoi fillimisht në minutën e 24-t dhe realizoi sërish në minutën e 53-të, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon. Me nëntë gola të shënuar në kampionat, Seferi renditet ndër golashënuesit më të mirë, në të njëjtën kuotë me Rey Manajn.
Në Turqi, gol realizoi edhe Qazim Laçi. Mesfushori i Kombëtares shqiptare shënoi në minutën e 32-të të sfidës së Rizesporit ndaj Corumit, me një goditje të saktë brenda zonës që përfundoi në trekëndëshin e portës kundërshtare. Ky ishte goli i tij i dytë në tetë javët e para të kampionatit.
Rey Manaj vazhdoi serinë e golave me fanellën e Sivassporit. Sulmuesi shqiptar shënoi në minutën e 30-të të ndeshjes ndaj Sariyer. Me këtë realizim, Manaj regjistroi golin e tij të nëntë në kampionat, ku numëron edhe dy asiste.
Në kampionatin MLS, Myrto Uzuni gjeti gjithashtu rrugën e rrjetës me fanellën e Austin FC. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi në minutën e 41-të ndaj Vancouverit, duke përfituar nga një gabim i kundërshtarëve dhe duke kaluar skuadrën e tij në avantazh. Megjithatë, Vancouveri reagoi në pjesën e dytë, duke realizuar dy gola dhe duke përmbysur rezultatin.
Asistet ishin një tjetër kontribut i rëndësishëm i futbollistëve shqiptarë gjatë kësaj jave. Ernest Muçi u bë protagonist në fitoren 4-2 të Trabzonsporit ndaj KuPS, në ndeshjen e UEFA Conference League. I aktivizuar si zëvendësues në minutën e 74-t, sulmuesi shqiptar dha një asist të bukur në minutat shtesë, duke ndihmuar skuadrën turke të shënonte golin e katërt.
Në Itali, Cristian Shpendi dha kontributin e tij në barazimin 1-1 të Cesenas ndaj Avellinos. Sulmuesi shqiptar asistoi për shokun e skuadrës Fiori, i cili zhbllokoi rezultatin, por kundërshtarët arritën të barazonin, duke bërë që të dyja skuadrat të ndanin nga një pikë.
Stavro Pilo ishte protagonist me një asist edhe në arenën europiane. Në ndeshjen e UEFA Champions League ndaj Shakhtar Donetsk, mbrojtësi shqiptar shërbeu për Majerin në minutën e 28-të, duke ndihmuar AEK Athinën të kalonte në avantazh. Megjithatë, skuadra greke nuk arriti ta ruante epërsinë dhe u mposht me rezultatin 3-1 në transfertë.
Përveç futbollistëve që spikatën me gola dhe asiste, disa prej lojtarëve të Kombëtares shqiptare u aktivizuan si titullarë me skuadrat e tyre gjatë kësaj jave. Nga minuta e parë e nisën Etrit Berisha, Berat Gjimshiti, Klisman Cake, Samuele Sina dhe Kristjan Asllani.
Si zëvendësues u aktivizuan Ardian Ismajli, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Adrion Pajaziti dhe Sabah Kerjota, duke vijuar angazhimin e tyre me skuadrat përkatëse në kampionatet ndërkombëtare.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




