Libri, shoku i pushimeve verore, rriten blerjet në librari

Kulturë | 1 vit më parë

Me nisjen e sezonit të verës, përveç kostumit të banjës dhe kremit kundër diellit, gjithnjë e më shumë qytetarë po zgjedhin të vendosin në çantën e pushimeve edhe një libër. Rritja e blerjeve në libraritë e Tiranës gjatë muajve të verës tregon një prirje pozitive drejt leximit në këtë periudhë.

Preferencat janë të ndryshme, shumë lexues zgjedhin tituj të lehtë, romane të shkurtra apo histori frymëzuese, të cilat mund të konsumohen lehtë në plazh apo në fund të një dite të gjatë.

“Fillojnë pushimet dhe njerëzit vijnë edhe marrin libra të kategorisë për të kaluar pushimet. Libra blihen gjatë gjithë vitit, në interesa të njerëzve të ndryshëm, për kategori lexuesish dhe librash,” shprehet librari Dalan Tola.

Gjithashtu, edhe më të rinjtë do duhet të lexojnë në këtë periudhë, pasi mësuesit e sistemit parauniversitar u japin nxënësve listën e librave që do të diskutojnë vitin e ardhshëm në shkollë.

“Mësuesit e Gjuhës-Letërsisë në fund të çdo viti shkollor, ju bëjnë me dije nxënësve që gjatë kohës së pushimeve verore ata të lexojnë libra nga lista e programit. Ndoshta kjo bëhet detyruese edhe për ata nxënës që janë të mirë, studiojnë, që kanë një nivel arritje dhe që duan të kenë një nivel shumë të mirë në arritje dhe në lëndën Gjuhë-Letërsi. Kjo i detyron ata të lexojnë. Kjo traditë vazhdon dhe është shumë e mirë. Ndonjëherë me dëshirë dhe ndonjëherë me detyrim e bën nxënësin të lexojë më shumë,” shprehet mësuesja.

Megjithatë, librari Dalan Tola thotë se nxënësit dhe prindërit shpesh nuk mjaftohen me këto lista, pasi ata shtojnë në blerje edhe tituj të tjerë që ngjallin kuriozitetin apo dëshirën e tyre.

“Përveç atyre të listës, edhe diçka tjetër interesante që del nga autorë shqiptarë apo që përkthehen nga autorë të huaj. Në vlerësimet e tyre, rekomandohen dhe këto. Është një gjë e mirë, jo duke parë vetëm në aspektin tregtar nga ana jonë, por edhe për fëmijët. Edhe fëmijët kanë interes. Interesi në fakt është i dyanshëm edhe nga prindërit edhe nga fëmijët.”, tha Tola.

Leximi mbetet një nga mënyrat më të bukura për të kombinuar pushimet me argëtimin dhe pasurimin shpirtëror.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme