Liqeni i Fierzës drejt kuotës maksimale – Me 900 m3/s liqeni rritet me 2 metra në 24 orë

Aktualitet | 9 muaj më parë

Në liqenin e Fierzës, niveli i ujit po rritet me shpejtësi, një mesatare me të paktën 2 metra në 24 orë. Sipas përditësimeve të të dhënave nga Korporata Elektroenergjite Shqiptare, në liqenin e Fierzës shënohen më shumë se 900 metra kub ujë në sekondë, ndërsa niveli i ujit është 292.7 metra mbi nivelin e detit. Krahasuar me një ditë më parë, prurjet kanë rënë të paktën 600 metra kub ujë në sekondë.

Gjatë ditës së djeshme, prurjet ishin 1500 metra kub ujë në sekondë, ndërsa niveli i ujit 291 metra mbi nivelin e detit. Me këtë ritëm prurjesh dhe rritje të nivelit të ujit, brenda dy ditëve liqeni i Fierzës do të arrijë kuotën maksimale, duke nënkuptuar një menaxhim efikas nga KESH për të balancuar sasinë e prurjeve me ato të shkarkimit, qoftë përmes turbinave, qoftë përmes shkarkimeve anësore.

Hidrocentrali i Fierzës është vënë në punë me kapacitet të alternuar për prodhimin e energjisë. Marrë parasysh sasinë e prurjeve që vjen në liqenin e Fierzës, 900 metra kub ujë në sekondë, hidrocentrali duhet të prodhojë energji elektrike me kapacitet të plotë në katër turbinat, nga të cilat shkarkohen në total 600 metra kub ujë në sekondë. Pjesa tjetër e tepricës nga prurjet, prej 300 metra kub ujë në sekondë, shfrytëzohet për rezervën ujore, por për të ruajtur balancën, Fierza duhet të shkarkojë një sasi uji nga portat e shkarkimit.

Ende nuk ka të dhëna të sakta dhe të konfirmuara për menaxhimin e situatës hidrike në kaskadë për të tre hidrocentralet, pasi në të dhënat e publikuara për ditën e sotme, KESH nuk ka paraqitur grafikun dhe sasinë e shkarkimeve, nëse ka shkarkime apo janë ndërprerë ato.

Gazetar: B. Muçmata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme