Lirimi i tre autorëve të dyshuar për vrasjen e Martin Çeços, avokati: Vendimi i Apelit për afatet e paraburgimit. Gjykimi në themel vazhdon
Nevzat Tarelli, avokat i dy autorëve të dyshuar të vrasjes së Martin Çeços ka folur për mediat një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila konstatoi humbjen e fuqisë së masës së arrestit të caktuar më 20 qershor 2022, për shkak të tejkalimit të afatit maksimal të qëndrimit në paraburgim.
Tarelli, i cili përfaqëson dy kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj ka deklaruar se vendimi i Apelit nuk liron nga akuza të dyshuarit pasi gjykimi në themel vazhdon, por ka të bëjë me mbarimin e afateve të paraburgimit.
“Nuk është vendim për ndryshimin e masës së sigurimit, por gjykata e Apelit ka konceptuar humbjen e fuqisë së paraburgimit që janë koncepte të ndryshme dhe ka korrigjuar vendimmarrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë. Për dijeni të publikut e të të gjithëve, ligji procedural penal parashikon një kohëzgjatje të afateve të paraburgimit tërësore jo më shumë se tre vjet, kohë gjatë së cilës sistemi gjyqësor duhet të dalë me një vendim të formës së prerë. Kjo kohëzgjatje ka përfunduar që në datën 16 qershor 2025 dhe në momentin që ju drejtova Gjykatës së Shkallës së Parë, me shumicë votash ajo e rrëzoi kërkesën time me një arsyetim që për mua është joprocedural. Vendimi u bë objekt ankimimi në gjykatë nga ana ime dhe gjykata e apelit në Tiranë dje ka shqyrtuar çështjen dhe ka konceptuar humbjen e fuqisë së paraburgimit dhe ka urdhëruar lirimin e personave. Në këto raste, ligji parashikon që gjykata nuk mund të japë një tjetër paraburgim, por mund të japë çdo masë sigurimi tjetër”, deklaroi avokati.

Sipas tij, sërish Gjykata e Apelit ka cenuar interesin e të pandehurve, duke risjellë në kujtesë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit arresti në shtëpi është paraburgim.
“Përse e thashë që në fillim të deklaratës se gjykata pjesërisht ka zgjidhur çështjen dhe pjesërisht ka cenuar interesin e të pandehurve? Jeni të njohur besoj me vendimin e gjykatës kushtetuese me numër 40 të datës 17 qershor 2025 në çështjen Margjeka. Gjykata kushtetuese në mënyrë përfundimtare sqaroi se arresti në shtëpi është paraburgim, njëlloj si arresti me burg. Pra vendimmarrja e gjykatës së apelit dje, ka shkelur këtë vendim të gjykatës kushtetuese duke caktuar përsëri një tjetër paraburgim, siç është arresti në shtëpi. Gjykata dje kishte vetëm një zgjidhje ligjore, që mund të caktonte masa të tjera siç është ‘detyrim paraqitje’ ndoshta edhe me ‘ndalim të daljes jashtë shtetit’. Këtë kam kërkuar dhe kjo ishte zgjidhja e drejtë e çështjes. Gjykata ka pranuar të konstatojë humbjen e fuqisë së paraburgimit ‘arrest me burg’ dhe ka caktuar një paraburgim tjetër ‘arrest në shtëpi’ e cila është një absurd procedural”, tha Tarelli.
Sipas tij, bëhet fjalë vetëm për një llogaritje matematikore pasi nuk është zgjidhur çështja në themel.
“Çështja në themel vijon në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë ku në datën 5 është planifikuar seanca për të vijuar gjykimin në themel sipas detyrave të dhëna nga vendimmarrja e Gjykatës së Apelit në momentin që prishi vendimin. Çështja nga Gjykata e Apelit është prishur dhe kthyer për rigjykim, ndërsa ka specifikuar në vendimin e saj një sërë detyrash të cilat prej nesh ishin kërkuar në mënyrë sistematike që në fazën e hetimeve. Jemi në momentin fillestar dhe në rigjykim do të duhet të shprehet në kërkesat tona. Nuk ka liruar dje gjykata, ka konstatuar një diçka shumë procedurale e teknike që ka të bëjë me afatet e paraburgimit”, deklaroi avokati.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi në qershor të vitit 2022, kur 26-vjeçari Martin Çeço u vra dhe më pas trupi i tij u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq. Tre të dyshuarit Valter Mollaj, kushëriri i tij Edlir Mollaj dhe çobani Bleti Angjo u arrestuan pas dëshmisë së Tina Pajollarit, e cila ndodhet ende në burg në lidhje me këtë çështje. Sipas hetimeve, shkaku i krimit ka qenë një lidhje e viktimës me Martina Pajollarin, e cila dyshohet se kishte nxjerrë në pritë Martin Çeçon. Pajollari u arrestua më vonë, pasi dyshohet se ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes dhe ka dhënë informacione që çuan në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




