“Livadhet 3″/ Arrestohet 19-vjeçari në Shkodër, i sekuestrohen mbi 160 mijë euro false në banesë

Aktualitet | 8 muaj më parë

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 19-vjeçar pasi i janë gjetur në banesë 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë, ne bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, si rezultat i kontrolleve të kryera në zbatim të vendimit të Gjykatës Shkodër, finalizuan operacionin e koduar “Livadhet 3”.

Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi O.Ç., 19 vjeç, banues në Shkodër.

Gjatë kontrollit të kryer në zbatim të vendimit të Gjykatës, në banesat e disa shtetasve që dyshohen për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, lidhur dhe me dy operacione të zhvilluara më parë, të koduara “Livadhet 1” dhe “ Livadhet 2 “, shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 19-vjeçarit dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 164 300 euro të dyshuara të falsifikuara, municion luftarak, 8 celularë, një sasi lënde djegëse, 1 automjet që dyshohet se është vjedhur në qytetin e Fushë Krujës, në vitin 2019, dhe 2 targa të dyshuara të vjedhura në qytetin e Tiranës, në vitin 2025.

Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit të arrestuar. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme