Luarasi: Reforma e nisur gjatë vitit 2025 ka krijuar kornizën e nevojshme. Fokusi të jetë te qëndrueshmëria dhe digjitalizimi
Bashkëkryetarja e Komisionit për Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi, pas dëgjesës së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH-së mbi raportin vjetor të vitit 2025 të institucionit, deklaroi se reforma e nisur gjatë 2025 ka krijuar kornizën e nevojshme.
Ajo paraqiti një seri rekomandimesh për vitin 2026, duke theksuar nevojën për përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe qëndrueshmërisë financiare të transmetuesit publik.
Në fjalën e saj, Luarasi theksoi se plani strategjik i RTSH-së duhet të përfshijë objektiva të qarta dhe të matshme, të shoqëruara me mekanizma raportimi gjashtëmujor, në mënyrë që reformat e nisura të mos mbeten vetëm deklarative.
“Rekomandojmë që të miratohet plani strategjik i shoqëruar me objektiva të matshëm dhe me mekanizma raportimi periodic 6-mujor, në mënyrë që reformat të mos mbeten deklarative, por të kenë rezultat të prekshëm për institucionin dhe publikun”, u shpreh Luarasi.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rekomandimeve ka të bëjë me racionalizimin e portofolit të kanaleve televizive dhe radiofonike. Luarasi sugjeroi që numri i kanaleve të reduktohet dhe secili të ketë identitet të qartë editorial, duke u përshtatur me kapacitetet reale prodhuese dhe financiare të RTSH-së.
“Portofoli i kanaleve televizive dhe radiofonike duhet racionalizuar, duke zvogëluar numrin e tyre dhe duke i dhënë secilit identitet të qartë editorial, në përputhje me kapacitetet reale prodhuese dhe financiare”, tha ajo.
Bashkëkryetarja e komisionit theksoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit të arkivave dhe paraqitjen e një plani operacional dhe financiar pranë Kuvendit, me kërkesë buxhetore të qartë për të shmangur degradimin e pakthyeshëm të fondit arkivor kombëtar.
“Duhet të paraqitet pranë Kuvendit një plan operacional dhe financiar i dedikuar për përfundimin e digjitalizimit të arkivës, me kërkesë eksplicite buxhetore, në mënyrë që të shmanget degradimi i pakthyeshëm i fondit arkivor kombëtar”, deklaroi Luarasi.
Një nga rekomandimet kryesore lidhet edhe me ridimensionimin e RTSH-së në Kuvend, përmes krijimit të një strukture editoriale të qëndrueshme që mund të shërbejë për konsultim publik dhe edukim qytetar mbi procesin ligjvënës. Po ashtu, Luarasi kërkoi forcimin e pavarësisë institucionale dhe editoriale, duke përfshirë procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues.
“RTSH Kuvend duhet të ridimensionohet me një strukturë editoriale të qëndrueshme në funksion të konsultimit publik dhe edukimit qytetar mbi procesin legjislativ. Duhet të forcohet pavarësia institucionale dhe editoriale, përfshirë procedurat për përzgjedhjen e Këshillit Drejtues”, theksoi Luarasi.
Përsa i përket aspektit financiar, bashkëkryetarja rekomandoi rishikimin e modelit financiar të RTSH-së, përfshirë tarifën e aparatit televiziv dhe pjesën e mbajtur nga OSHEE, për të garantuar qëndrueshmëri afatgjatë të transmetuesit publik.
“Rishikimi i modelit financiar, duke përfshirë tarifën e aparatit televiziv dhe përqindjen e mbajtur në OSHEE, është thelbësor për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të RTSH-së”, u shpreh ajo.
Luarasi vuri në dukje se reforma e nisur gjatë vitit 2025 ka krijuar kornizën e nevojshme për këto ndryshime dhe se vitin 2026 RTSH-ja duhet të fokusohet në implementimin efektiv të tyre, duke siguruar një transmetues publik më të fortë, më efikas dhe më të qëndrueshëm.
“Reforma e nisur gjatë vitit 2025 ka krijuar kornizën e nevojshme. Tani RTSH duhet të përqendrohet në implementimin e rekomandimeve, për të garantuar funksionimin e qëndrueshëm dhe efektiv të transmetuesit publik”, theksoi Luarasi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



