Lushnjë – Turi “Peizazhe të internimit” sjell në vëmendje historinë e të përndjekurve politikë
Në Lushnjë u zhvillua turi përkujtimor “Peizazhe të internimit”, i organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish‑Sigurimit të Shtetit, në disa prej vendeve që lidhen me historinë e internimit politik gjatë regjimit komunist.
Aktiviteti solli në vëmendje vuajtjet e mijëra familjeve të përndjekura, duke synuar ruajtjen e kujtesës historike përmes dëshmive, vizitave në ish‑kampet e internimit dhe dokumentimit të së kaluarës.
“Kemi identifikuar të gjitha fshatrat që janë përdorur për kampe pune të detyruar, vendet e banimit dhe kemi përgatitur listat e të gjithë të internuarve të zonës së Lushnjës”, deklaroi Gentjana Sula, kryetare e Autoritetit të Dosjeve.
Në zonat e internimit të Lushnjës, ku nga vitet 1950 deri në vitet 1990 u dërguan mbi 3 mijë persona, u kërkua që historia e tyre të dokumentohet dhe vendet e kujtesës të ruhen. Familjarët e të përndjekurve sollën gjithashtu kërkesën për njohjen e statusit politik për fëmijët e lindur në internim, të cilët sipas tyre ende nuk e kanë përfituar këtë të drejtë.
“Pasojat që ka lënë në familjen tonë ky internim janë shumë të rënda”, tha Vera Bektashi, e përndjekur e regjimit komunist.
Presidenti Bajram Begaj theksoi se kujtesa për periudhën e internimeve është një detyrim ndaj brezave të rinj.
Ai nënvizoi se dokumentimi i së shkuarës nuk lidhet me hakmarrjen, por me ruajtjen e së vërtetës historike.
“Këtu sollën njerëz nga veriu e jugu, nga qyteti e fshati, burra e gra, pleq e fëmijë, njerëz me histori dhe bindje të ndryshme, por që pushteti i kohës i kishte vulosur me një fat të vetëm, të padëshiruar, sepse ata nuk mendonin si ai”, u shpreh Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Ndërkohë, Bashkia e Lushnjës kërkon ruajtjen e objekteve të mbetura nga kampet e internimit dhe krijimin e një muzeu që të dokumentojë historinë e këtyre vendeve.
Eriselda Sefa, kryetare e Bashkisë Lushnjë, theksoi se “ Pas çdo objekti godine ka një histori, pas çdo familje ka një kujtim, pas çdo vendi ka një njeri. Savra dhe kampet e tjera të Myzeqesë janë pjesë e kësaj historie”
“Peizazhe të internimit” synon që kujtesa e vuajtjeve të mos mbetet vetëm në rrëfimet e të mbijetuarve, por të ruhet si pjesë e historisë për brezat e ardhshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




