Macron bën thirrje për qetësi pas protestave të dhunshme në Francë, rreth 2,400 të arrestuar

Botë | 31 minuta më parë

Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe rendit në vend, pas protestave masive që u shoqëruan me përplasje, akte dhune dhe plaçkitje në disa qytete të Francës. Trazirat vijuan edhe në Paris, ndërsa autoritetet raportuan rreth 2,400 arrestime. Në një fjalim drejtuar kombit nga Pallati Élysée, Macron u bëri apel protestuesve të mos e përshkallëzojnë më tej situatën, duke theksuar nevojën për të dalluar pakënaqësitë legjitime të qytetarëve nga aktet e dhunës dhe shkatërrimit.

“Ne të gjithë ndiejmë zemërim dhe turp”, deklaroi presidenti francez, duke dënuar incidentet e regjistruara gjatë protestave.

Sipas tij, kërkesat e qytetarëve duhet të trajtohen veçmas nga veprimet e personave që shfrytëzuan demonstratat për të kryer akte vandalizmi dhe plaçkitjeje. Macron paralajmëroi se dhuna nuk mund të justifikohet dhe se personat e përfshirë do të përballen me drejtësinë.

Protestat mobilizuan rreth 550 mijë demonstrues, të cilët dolën në rrugë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të karburantit, kostot në rritje të jetesës dhe përkeqësimin e shërbimeve publike, përfshirë arsimin.

Megjithëse pjesa më e madhe e demonstratave ishte paqësore, në disa zona situata doli jashtë kontrollit. Grupe protestuesish, disa prej tyre të veshur me të zeza dhe me fytyrat e mbuluara me maska e balaklava, u përfshinë në incidente në Paris, Marsejë dhe qytete të tjera të vendit. Gjatë trazirave, disa persona u vunë flakën automjeteve dhe ndërtesave, ndërsa u raportuan edhe raste plaçkitjeje dhe dëmtimi të pronës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 2,400 persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjet. Autoritetet po përpiqen të rikthejnë rendin dhe të identifikojnë personat përgjegjës për aktet e dhunës. Macron theksoi se shteti duhet të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve, por njëkohësisht të garantojë sigurinë publike dhe respektimin e ligjit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme