Macron flet me Netanyahun: Mos urdhëro ofensivë tokësore ndaj Hezbollahut, rikthehuni te armëpushimi

Presidenti francez Emmanuel Macron ka biseduar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe e ka nxitur atë të mos urdhërojë një ofensivë tokësore kundër Hezbollah-it në Liban.
“Është e rëndësishme që palët të kthehen te marrëveshja e armëpushimit”, shkruan Macron në postimin e tij në X.
Ai ka folur edhe me presidentin libanez Joseph Aoun dhe kryeministrin Naëaf Salam, duke theksuar “nevojën që Hezbollah-i të ndalojë menjëherë sulmet kundër Izraelit dhe më gjerë.
“Kjo strategji eskalimi përbën një gabim të madh që rrezikon tërë rajonin. Franca do të vazhdojë, bashkë me partnerët, të mbështesë përpjekjet e Forcave të Armatosura Libaneze, që ato të mund të kryejnë plotësisht misionet e tyre të sovranitetit dhe të japin fund kërcënimit të paraqitur nga Hezbollah-i,” thekson më tej Macroni.
Ky qëndrim vjen në një moment tensionesh të larta në kufirin Izrael-Liban, ku Izraeli ka kryer operacione tokësore në jug të Libanit për të krijuar një zonë tampon kundër sulmeve të Hezbollah-ut, ndërsa Macron paralajmëron se një ofensivë tokësore më e gjerë do të ishte eskalim i rrezikshëm dhe gabim strategjik.
Ndërkaq, Franca po planifikon iniciativa të menjëhershme humanitare për popullatën e zhvendosur në jug të Libanit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



