Magjia e vjeshtës në Reç, masivet me gështenja që i japin zonës hijeshinë e veçantë
Natyra e bukur, peizazhet karakteristike dhe qetësia që ofron zona e Reçit në Malësinë e Madhe vijojnë të tërheqin vizitorë edhe gjatë stinës së vjeshtës. Kjo pikë turistike frekuentohet kryesisht nga ata vendas, veçanërisht nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, të cilët zgjedhin të kalojnë disa orë mes bukurive natyrore të zonës.
Një nga veçantitë e Reçit është edhe gështenja, e cila karakterizon këtë territor dhe përbën një nga pasuritë e tij natyrore. E lidhur ngushtë me traditën dhe identitetin e zonës, ajo i jep një tjetër vlerë këtij destinacioni, sidomos gjatë muajve të vjeshtës.
“Reçi shumë i bukur, natyra shumë e bukur, ushqimi fantastik edhe do ta kisha rekomanduar për gjithçka”, tha një turist.
Pavarësisht interesit të vizitorëve vendas, promovimi i mëtejshëm i Reçit mbetet një nevojë për ta bërë këtë destinacion më të njohur edhe për turistët nga zona të tjera. Kjo kërkesë është shprehur edhe më parë nga qytetarët, të cilët kanë evidentuar potencialin turistik të kësaj zone.
“I bëj thirrje bashkisë, i bëj thirrje qeverisë që në këtë vend të mrekullueshëm të vej dorë. Kjo duhet të jetë një ndër pikat për t’u promovuar”, tha një tjetër.
Me natyrën e pasur, gështenjat dhe peizazhet karakteristike, Reçi mbetet një nga destinacionet e preferuara për vizitorët vendas gjatë vjeshtës. Frekuentimi i tij tregon interesin për turizmin natyror, ndërsa një promovim më i gjerë mund të ndikojë në tërheqjen e vizitorëve edhe përtej Shkodrës dhe Malësisë së Madhe.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



