Mandati për Ballukun/ Bardhi: Kuvendi, të autorizojë arrestimin. Ndërhyrja në masën e sigurisë do të ishte antikushtetuese

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një konferencë për mediat bëri publik raportin e opozitës në Këshillin për Mandatet dhe Imunitetet lidhur me kërkesën e SPAK për autorizimin e Kuvendit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Bardhi deklaroi se pesë anëtarët e pakicës në Këshill kanë rekomanduar miratimin e kërkesës së paraqitur nga SPAK, duke i hapur rrugë votimit në seancë plenare.
“SPAK ka kërkuar nga Kuvendi autorizimin për arrestimin/heqjen e lirisë së Belinda Ballukut. Kjo kërkesë është e bazuar në Kushtetutë, në Kodin e Procedurës Penale dhe në Rregulloren e Kuvendit”, u shpreh Bardhi.
Sipas tij, kërkesa është shoqëruar me një relacion të arsyetuar dhe me provat e administruara, ndërsa prokuroria e ka marrë deputeten si person nën hetim dhe të pandehur pasi dyshohet se ka kryer 11 herë veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike”.
Më tej, Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje në proces.
“Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e Belinda Ballukut. Arsyeja është e thjeshtë: ai është vetë i përfshirë në këtë aferë dhe është peng i saj. Kjo sjellje është antikushtetuese, përbën rrënim të shtetit ligjor dhe goditjen më të rëndë ndaj reformës në drejtësi”, deklaroi ai.
Kreu i grupit demokrat theksoi se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimit të Komisionit të Venecias, imuniteti parlamentar nuk është privilegj personal i deputetit, por mekanizëm për mbrojtjen e funksionimit të Kuvendit.
“Është detyrë e Kuvendit të verifikojë nëse ekzistojnë kushtet për dhënien e autorizimit të kërkuar nga SPAK. Kuvendi duhet të sigurojë që deputeti të mos jetë objekt i një përdorimi abuziv partiako-politik, por nuk mund të vlerësojë se cila është masa e përshtatshme e sigurimit. Kjo është kompetencë e pushtetit gjyqësor”, u shpreh Bardhi.
Ai paralajmëroi se çdo ndërhyrje e Kuvendit në vlerësimin e masës së sigurimit do të përbënte “ndërhyrje antikushtetuese në hetimin penal”. Ai theksoi se nëse Kuvendi do të vlerwsonte nëse një masë e caktuar sigurimi do të ishte më e përshtshme se një tjetër, kjo do të përbënte ndërhyrje antikushtetuese në hetimin penal konkret.
“Është detyrë e Kuvendit të verifikojë nëse ekzistojnë kushtet për dhënien e autorizimit të kërkuar nga SPAK.
Në këtë lloj procedure, Kuvendi ka detyrimin të sigurojë që deputeti ndaj të cilit po zhvillohet procedura të mos jetë objekt i një përdorimi abuziv partiako-politik për shkak të qëndrimeve të tij parlamentare.
Kuvendi, duke mos qenë organ kompetent, nuk mund të vlerësojë meritën se cila është masa e përshtatshme e sigurimit për të mbrojtur hetimin apo veprimin konkret që duhet të ndërmarrë prokuroria, në mënyrë që hetimi të jetë i plotë dhe i pacenueshëm. Kjo është kompetencë e pushtetit gjyqësor.
Nëse Kuvendi do të vlerësonte se një masë e caktuar sigurimi është më e përshtatshme se një tjetër, kjo do të përbënte ndërhyrje në pushtetin gjyqësor dhe një ndërhyrje antikushtetuese në hetimin penal konkret”, theksoi Bardhi.
Ky i fundit nënvizoi se Kuvendi në këtë lloj procedure ka autoritet kushtetues të verifikojë vetëm, 3 elementë: ekzistencën e një procedimi penal të ligjshëm dhe mungesën e motiveve politike në hetimin penal të çështjes; ekzistencën e kushteve ligjore për autorizimin e veprimit të kërkuara nga prokuroria; plotësimin nga ana përmbajtësore të disa kritereve të elaboruara nga Komisioni i Venecia.
Bardhi theksoi se provohet se ekziston një procedim penal i ligjshëm ndaj deputetes Balluku dhe se ndodhemi para prezumimit bazik që imuniteti duhet të hiqet sepse nuk ka arsye të besohet se akuza ndaj Ballukut janë të motivuara politikisht.
“Në mënyrë të përmbledhur ne 5 anëtarët e pakicës në Këshillin për mandatet na rezulton në rezulton në mënyrë të përmbledhur sa më poshtë:
Provohet se ekziston një procedim penal i ligjshëm ndaj të pandehurës Belinda Balluku. Në rastin konkret jemi para prezumimit bazik që imuniteti duhet të hiqet sepse nuk ka arsye të besohet se akuza ndaj Ballukut janë të motivuara politikisht.
Provohet dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, prokuroria tregon në mënyrë të qartë se ekziston dyshimi i arsyeshëm dhe ai bazohet në prova, 80 prova të ndara në 12 volume, rreziku për procedim penale.
SPAK në kërkesën drejtuar Kuvendit treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputetja Belinda Balluku.
Pozicioni i saj si deputet i mazhorancës, ish-zv.kryeministre, ish-ministre, lidhja me një numër të konsiderueshëm me ministrat aktualë në detyrë, apo funksionarë të lartë të administratës publike, tregues i lidhjeve dhe aftësisë së saj për të ndikuar në cilësisë e provave të procedimit penal”, përfundoi Bardhi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




