Maqedoni e Veriut – Gjoba deri në 10 mijë euro për tregtarët që nuk publikojnë çmimet

Maqedonia e Veriut | 1 vit më parë

Nga sot, shitësit me pakicë në Maqedoninë e Veriut janë të detyruar të publikojnë çmimet e shitjes së produkteve në baza ditore. Çmimet duhet të publikohen në faqet e tyre të internetit në një pjesë të veçantë dhe të përditësohen çdo ditë brenda orës 10:00.

Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, thotë se tregtarët kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur me këtë detyrim të ri ligjor dhe se është në interes të qytetarëve. Detyrimi ligjor vlen për të gjithë tregtarët, përveç atyre me deri në 10 punonjës. 

“Transparenca duhet të jetë më e madhe nga ana e marketeve. Qytetarët duhet të dinë ku t’i shpenzojnë paratë e tyre dhe cilat çmime janë më të lira. Ne duhet të plotësojmë nevojat e qytetarëve. Ky është një ligj që mbulon zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve dhe ata kanë kapacitet dhe uebfaqen e tyre dhe mund ta zbatojnë këtë masë ligjore,” thotë z. Durmishi.

Lidhur me kërkesën e Odës së Tregtarëve me shumicë dhe pakicë, kryesisht të produkteve ushqimore dhe joushqimore, pijeve dhe duhanit, për shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit, ministri Durmishi planifikon të takohet me ta javën e ardhshme.

Gjobat për mospërmbushje të detyrimit ligjor shkojnë deri në 10 mijë euro, ndërsa ministri Durmishi njofton se inspektorët e Inspektoratit të Tregut do të bëjnë kontrolle në terren. /Zhurnal

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme