Maqedoni e Veriut, miratohen ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Popullatës nga Sëmundjet Infektive

Me 53 vota “pro” dhe 26 abstenime, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Popullatës nga Sëmundjet Infektive.
Ligji i cili ka të bëjë me masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit (COVID-19), u miratua nën një procedurë të shkurtuar.
Ndryshimet ligjore kanë të bëjnë me masat e Qeverisë për mbajtjen e maskave jashtë, grupimin në ambiente të hapura dhe vetizolimin e detyrueshëm nga caktimi i testit derisa të merret rezultati. Parashihet që këto masa të zbatohen të derisa të ekzistojnë rreziku i përhapjes së virusit.
Duke iu drejtuar deputetëve, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, shpjegoi ligjin dhe tha se ndryshimet e reja në ligj po sillen për shkak të numrit të madh të rasteve të regjistruara dhe mbushjes së spitaleve.
Ministri Filipçe informoi se qeveria dhe opozita në seancën e Komisionit Shëndetësor arritën një marrëveshje mbi ndryshimet. Ato kanë të bëjnë me mbajtjen e detyrueshme të pajisjeve mbrojtëse (maskë, shall, shami) gjatë daljes nga shtëpia, në vende publike, ambientet e hapura, tregje, transportin publik, si dhe vendet ku mund të mblidhen më shumë njerëz në të njëjtën kohë, në institucionet shtetërore dhe banka.
Përjashtim nga detyrimi ligjor do të ketë gjatë bërjes sport në hapësira të jashtme, gjatë drejtimit të automjetit privat, nëse shoferi është vetëm ose me person që jeton bashkërisht, gjatë qëndrimit në oborr në një shtëpi me njerëz nga e njëjta familje, ose në objekte hotelierike ku zbatohen protokolle specifike të mbrojtjes.
Gjithashtu, kjo masë nuk do të zbatohet nëse personi është më i ri se 6 vjeç (fëmijë) dhe nëse personi ka gjendje të veçantë shëndetësore (person me nevoja të veçanta ose person me aftësi të kufizuara për shkak të të cilave mbajtja e mbrojtjes personale do të ishte problematike).
“Mosmbajtja e maskës jashtë dënohet me gjobë prej 20 eurosh. Shkelësit e vetizolimit do të gjobiten me 50 euro dhe ata që do të grupohen jashtë do të paguajnë gjobë prej 500 eurosh”, tha Ministria e Shëndetësisë në një deklaratë.
Ndalimi i më shumë se katër mysafirëve në shtëpi nuk ishte pjesë e ndryshimeve ligjore. Më herët në seancën e Komisionit Shëndetësor, deputetët nga qeveria hoqën dorë nga kjo masë, ndërsa deputetët e opozitës ishin të mendimit se nëse sillet ajo, do të përbënte shkelje të Kushtetutës.
Ligji për Mbrojtjen e Popullatës nga Sëmundjet Infektive do të hyjë në fuqi pas botimit në Gazetën Zyrtare.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




