Maqedoni e Veriut/ Nis debati parlamentar për ndryshimet kushtetuese

Maqedonia e Veriut | 3 vite më parë

Parlamenti maqedonas filloi të premten debatin për ndryshimet shumë të debatuara në kushtetutë, të cilat pritet të njohin me ligj pakicën bullgare.

Rendi i ditës për amendimet e propozuara nga qeveria u votua me 70 vota, ndërkohë që votimi përfundimtar do të kërkojë të paktën 80 nga 120 votat e Kuvendit.

Opozitarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët kanë thënë se nuk do i binden presionit të Bullgarisë për ndryshimet, iu gëzuan mungesës së numrave në seancë.

“Propozimi për plotësimin e Kushtetutës ka një relacion dhe motiv të vetëm, që është anëtarësimi në BE. Kjo kërkohet dhe pritet nga shumica e qytetarëve në vend. As më shumë e as më pak. Propozimi është yni, maqedonas. Propozimi është i bazuar në propozimin e BE-së dhe marrëveshjen e vitit 2022, me të cilin shteti ynë, pas një pritjeje shumëvjeçare, përfundimisht të hapë negociatat për anëtarësim.

Propozimi është shkruar këtu në Shkup. Propozimi debatohet në Kuvendin tonë dhe për këtë arsye me përgjegjësi të plotë i hedh poshtë tezat e rreme dhe të pavërteta për diktat nga dikush,” u shpreh kryeministri Dimitar Kovaçeski, sipas Alsat.

Kreu i VMRO-DPMNE-së ka thënë se mund të ndryshojnë mendim nga mosvotimi vetëm nëse u përmbushen dy kushte: së pari, BE-ja duhet të garantojë se e konfirmon “identitetin, kulturën, traditën dhe gjuhën maqedonase”, dhe së dyti, Bullgaria duhet të njohë minoritetin maqedonas në vend sipas vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Qeveria bullgare e ka bllokuar avancimin e Shkupit në Bashkimin Europian, pasi të dy fqinjët vazhdojnë të kenë probleme historike/identitare me njëri-tjetrin.

Bullgaria vijon të mos e pranojë ekzistencën e minoritetit maqedonas në vend, ndërsa pretendon se ka 3 mijë bullgarë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, në bazë të censusit të vitit 2021.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme