Maqedonia e Veriut konfirmon për herë të parë dy të infektuar nga lia e majmunit
Instituti i Shëndetit Publik i Maqedonisë së Veriut njoftoi të enjten se për herë të parë ka konfirmuar dy raste me linë e majmunit.
Dy pacientët gjithashtu iu nënshtruan analizave për HIV, sifiliz dhe herpes.
“Instituti i Shëndetit Publik kreu ekzaminime laboratorike në tre mënyra të ndryshme dhe në këtë mënyrë u konfirmuan laboratorikisht dy raste me linë e majmunit. Meqë për herë të parë në vendin tonë janë konfirmuar laboratorikisht raste me linë e majmunit, pas rezultateve të marra u reagua menjëherë, u ndërmorën masa përkatëse dhe u njoftuan institucionet kompetente – Ministria e Shëndetësisë, Klinika e Dermatologjisë, Klinika Infektive dhe të tjera,” thuhet në njoftim.
Autoritetet kanë siguruar se janë marrë masat për të ndalur përhapjen e mundshme të infektimeve.
Në vitin 2022 edhe Mali i Zi ishte ndër vendet e rajonit që regjistroi për herë të parë praninë e lisë së majmunit te një shtetas i vet. Po atë vit një shtetas me origjinë shqiptare u raportua se mbartte infeksionin në Greqi, në rajonin e Thesalisë, ndërsa në vitin 2024 një person nga Kosova u konfirmua si mbartës i sëmundjes pas kthimit nga Afrika.
Kjo sëmundje infektive zakonisht fillon me ethe, dhimbje muskujsh, dhimbje dhe fyti, si dhe kollë, duke u shfaqur fizikisht me një skuqje të lëkurës në formën e flluskave. Rasti i parë i identifikuar te një njeri me linë e majmit daton nga viti 1970 në një zonë të largët të Kongos, Afrikë. Ajo mund të jetë vdekjeprurëse për 1 në 10 persona, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në Shqipëri nuk ka pasur deri tani asnjë rast të konfirmuar të lisë së majmunit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




