Maqedonia e Veriut/ Të premten seanca për ndryshimet kushtetuese mbi minoritetet

Të premten (18 gusht), Parlamenti i Maqedonisë së Veriut do të mblidhet për të diskutuar ndryshimet në kushtetutë për minoritetet, për të cilat këmbëngul Bullgaria, ndërsa opozita i kundërshton.
Qeveria maqedonase vazhdon të kërkojë mbështetjen e pakicës, duke i garantuar VMRO-DPMNE-së se në këmbim të votës pro do të kenë vende në kabinetin qeveritar.
Amendimet kanë të bëjnë me rishikimin e preambulës dhe të neneve 49 e 78 të Kushtetutës, ku flitet për kombësitë në vend.
Do të ndryshojë formulimi “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, një pjesë e popullit shqiptar, populli turk, populli vlleh, populli serb, populli rom, boshnjak dhe të tjerët” dhe pas fjalës “populli boshnjak” do të shtohet “populli bullgar, populli kroat, populli malazez, populli slloven, populli hebraik dhe populli egjiptian“.
Mungesa e popullit bullgar mes minoriteteve në vend u bë shkak nga Bullgaria për t’i bllokuar fqinjit të vet negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.
Procedura nisi më 25 korrik te Komisioni për Ndryshimet Kushtetuese.
Të premten është parashikuar votimi me të paktën 61 vota i kësaj pike në rendin e ditës, duke i hapur rrugë debatit jo më gjatë se 10 ditë pune.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




